TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Reporter Pa Kufij ka publikuar raportin për vitin 2018-të, ku flet për përballjen e gazetarëve në mbarë botën me krimin e organizuar.
Në raport është përfshirë edhe Shqipëria me tre rastet e gazetarëve Alida Tota, Basir Çollaku dhe Klodiana Lala.
Kjo e organizatë e konsideron Shqipërinë një vend ku ekzistojnë klane mafioze, të cilat përdoren për të kërcënuar gazetarët që denoncojnë qeverinë.
Një prej këtyre rasteve është gazetarja Alida Tota, e cila u shkarkua nga detyra në televizionin ‘A1’, pas investigimit të nisur për vrasjen e Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës. Reporter pa kufij shkruan se Tota u shkarkua një ditë pasi kërkoi informacione për çështjen në bashkinë e Tiranës, që drejtohet nga Erion Veliaj.
“Historia që sabotoi karrierën e saj ishte vdekja e punëtorit 17 vjeçar në depozitimin e tmerrshëm të mbetjeve, ku ajo përmendi kushtet e vështira dhe të rrezikshme, mungesën e kontratave të punës dhe përfshirjen e bashkisë së Tiranës. Ajo u shkarkua ditën pas kërkoi nga bashkia e qytetit që të jepte versionin e saj. Asaj gjithashtu iu kërkua të braktiste historinë”, shkruhet në raport.
Reporter pa kufij denoncon edhe kërcënimet me jetë që Alida Tota mori pasi u shkarkua nga detyra, duke arritur deri në përndjekje ndaj djalit 13 vjeçar. Por një tjetër ngjarje që nuk është raportuar në mediat në Shqipëri, është dyshimi se ndaj gazetares u planifikua një sulm me bombë gjatë qëndrimit në Suedi.
Në raportin e ‘Reporter pa kufij’ shkruhet: “Ajo u largua për në Suedi pasi kundërshtarët shënjestruan djalin 13 vjeçar, i cili përndiqej gjatë rrugës për në shkollë. Familja nuk qëndroi atje (Suedi) për shumë kohë, duke u rikthyer në shkurt të 2017-ës pasi i shpëtoi një bombardimi (sulm me bombë) në Suedi, që mund të kishte atë për shënjestër. Atëherë, ajo vendosi të rifillojë luftën në gjykata dhe të rifillonte raportimet me mbështetjen e Publicus, një faqe e gazetarisë investigative.”
Kjo organizatë thekson se disa gazetarë pro-qeveritarë kanë vënë në dyshim aftësitë profesionale të Totës, me qëllim për ta sulmuar.
Gjithashtu, në raport flitet për lidhjet e administratorit të landfillit të Sharrës, ku mbeti i vrarë 17 vjeçari, me Partinë Socialiste dhe drejtuesit e policisë, çka e bën të vështirë për gazetaren që të kërkojë mbrojtje.
Sa i përket vrasjes së Ardit Gjoklajt në vitin 2016-të, asnjë person nuk është dënuar nga gjykata.