AKTUALITET, 19 October 2026, 20:49

“Rama u mashtroi me 2500 eurot”, protestuesja- efektivëve: Kam punuar 5 vite në Polici, s’i mora kurrë orët shtesë

“Rama u mashtroi me 2500 eurot”, protestuesja- efektivëve: Kam

Një grua e pranishme në protestë, e cila pretendon se ka punuar për pesë vite në Policinë e Shtetit, është përplasur me efektivët e policisë në hyrje të rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë.

Gjatë një prononcimi për mediat, ajo u shpreh se efektivët që ndodhen në vijën e parë përballë protestuesve nuk do t’i marrin 2500 eurot e premtuara nga kryeministri Edi Rama.

Ai po ashtu deklaroi se gjatë kohës kur punonte në Policinë e Shtetit, nuk ishte paguar për orët shtesë që kryente.

“Nuk keni kushte. Atë që ju premtoj sot, harrojeni se keni për ta marrë. Kam punuar orë shtesë, 12 orë, kurrë nuk i kam parë orët shtesë që premtohen nga ky kryeministër. Janë mashtrues. Është mashtrim.

Kam punuar në Policinë e Shtetit për 5 vite, është mashtrim, asnjë gjë nuk do t’ju japë. Orët shtesë që punoni si legena në rrugë, asnjëherë nuk i kam marrë. O e di unë, o s’e di asnjë. Nuk është polici kjo, janë militantët e partisë”, u shpreh ajo për mediat.

Gjatë deklaratës, gruaja u përplas edhe me efektivët, të cilët kishin ngritur një bllokadë në hyrje të rrugës “Myslym Shyri”, në kuadër të masave të marra gjatë protestës.