AKTUALITET, 28 Qershor 2018, 21:21

Qazim Sejdini "blindon" Elbasanin, vendos 3 mijë kamera në të gjithë qytetin

Një nga kryebashkiakët më të pasur të Shqipërisë, ai Elbasanit, Qazim Sejdini ka zhvilluar një tender për pajisjen me kamera në të gjithë qytetin, duke e kthyer në një “Big Brother” të madh. Tpz.al ka siguruar dokumentet e këtij tenderi, i cili ka si objekt “pajisje me kamera sigurie e objekteve arsimore dhe institucioneve publike në varësi të Bashkisë Elbasan dhe mirëmbajta e tyre”. Në tender thuhet se janë parashikuar të vendosen mbi 3000 kamera, të cilat mund të filmojnë dhe fotografojnë të gjithë jetën e qytetit. Fondi për këtë tender është plot 1.3 miliardë lekë të vjetra (më shumë se 1 milionë euro). Burimi i këtyre parave është nga të ardhurat e bashkisë. Megjithatë, nuk dihet nëse bërja e këtij tenderi përkon me informacione të shumta të institucioneve ligj-zbatuese se kryetari i bashkisë Qazim Sejdini, i cili është kërcënuar me jetë para pak kohësh. Burimet për Tpz.al, tregojnë se Sejdini lëviz i shoqëruar nga bodyguard dhe automjete të blinduara, megjithëse ai e ka mohuar këtë gjë. “Ka një mbrojtje të veçantë pasi ka pasur një kërcënim”, – ka thënë para pak kohësh Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, duke konfirmuar se ndaj Sejdinit ka patur disa kërcënime. Në dokumentet e tenderit thuhet se “sistemi mund të marrë maksimumin 20 alarmë me fotografi në sekondë”. Madje, sistemi mund të ruajë deri në 5 milionë të dhëna për dy vjet. Shifrat e sistemit vijojnë se kamerat mund të ngarkojnë një regjistër “heat map” në orë dhe ruajtjen e 250.000 të dhënat e “heat map” për dy vjet. Pra, në gjithë qytetin do vendoset sistem kamerash, të cilat janë të lidhura me një qendër, nga e cila do monitorohen të gjitha lëvizjet e dyshimta në qytet. 3000 kamerat do të shërbejnë edhe për monitorimin e zonave problematike në Elbasan, ku bandat të lidhura me pushtetin aktual kanë trazuar qetësinë e qytetit.
Reagon Qazim Sejdini: 3000 kamerat nuk janë për mua, por për qytetin!

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini ka reaguar për shkrimin e publikuar nga Tpz.al, për kamerat e sigurisë që priten të vendosen në institucionet kryesore të qytetit.

Sejdini është shprehur për Tpz.al, se tenderi për 3000 kamerat, është për institucionet publike në Elbasan, si shkollat apo godinat shtetërore që janë në varësi të Bashkisë së Elbasanit.

“Është një projektligji i miratur nga parlamenti për vendosjen e kamerave të sigurisë në institucionet publike.” – shprehet Sejdini për Tpz.al.

Kryebashkiaku Sejdini shton se vendosja e kamera do të rrisë sigurinë e qytetit, por jo personale. Pra, Sejdini mohon faktin se kamerat do t’i shërbejnë sigurisë së tij, për shkak të kërcënimeve që ai ka marrë kohët e fundit sipas raportimit të Tpz.al.

“Si mundet të kem unë nën kontroll kamerat e qytetit, nuk është për sigurinë time, është i pavërtetë ky pretendim”– shtoi më tej kryebashkiaku i Elbasanit.

Megjithatë mbetet ende e paqartë, nëse janë të nevojshme kaq shumë kamera në qytetin e Elbasanit.

/TPZ.AL/ Më poshtë dokumentat e tenderit: