AKTUALITET, 21 Dhjetor 2018, 08:49

PROFILI/ Ngrihet KLGJ, kush është kryetarja e zgjedhur

PROFILI/ Ngrihet KLGJ, kush është kryetarja e zgjedhur

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit zhvilloi mbledhjen e parë ditën e djeshme, duke zgjedhur kështu kryetarin dhe zv/kryetarin.

Ashtu si Këshilli i Lartë i Prokurorisë, kandidatët për dy postet janë vetofruar, ndërsa u votuan nga kolegët e tyre. Drejtuese u zgjodh Naureda Llagami, e cila fitoi me 10 vota përballë Alban Toros dhe Fatmira Lulit.

Ndërsa zv/kryetar u zgjodh Maksim Coku. Të dy të zgjedhurit vijnë nga radhët e anëtarëve jogjyqtarë, ashtu sikurse e përcakton edhe ligji. Llagami vjen nga Shoqëria Civile, ndërsa Coku nga radhët e pedagogëve. Gjatë mbledhjes, Llagami falënderoi kolegët për besimin, ndërsa shtoi se ishte moment historik. Kryetarja e KLGJ-së tha më tej se Këshilli duhet të punonte për të bërë një sistem gjyqësor të besueshëm dhe të drejtë.

“Sot do të nisim rrugën për të ndërtuar një Gjyqësor të paanshëm, të pakorruptuar dhe të pandikuar nga politika. Ndihem e nderuar që do të punoj me një skuadër profesionistësh. Do të bëjmë të mundur realizmin e pritshmërive të publikut dhe do të rikthejmë besimin e tyre te sistemi i drejtësisë.

Kjo është detyra dhe sfida më e madhe. Ky këshill ka për detyrë të miratojë vendime që do të jenë lehtësisht të aksesueshme nga publiku. Promovimi nëpër gjykata i profesionistëve do të bëhet vetëm në bazë të vlerave, do të ketë një monitorim efektiv të performancës nëpër gjykata. Trajtimi i çështjeve gjyqësore do të jetë i drejtë, ky është edhe objektivi ynë primar.

T’u japim jetë rezultateve të pritshme nga publiku për këtë reformë. Do të hapim një faqe të re për drejtësinë, gjë që do të na afrojë edhe më shumë me BE. Tani aplikimi i drejtë i ligjit nuk është më thjesht një koncept”, tha ajo.

Gjatë mbledhjes së djeshme, u zgjodhën edhe anëtarët me mandat 3 dhe 5-vjeçar, kjo pasi ligji parashikon se 4 prej tyre duhet të kenë mandat 3- vjeçar në mënyrë që të bëhet zëvendësimi i tyre, duke mos krijuar probleme. Ndërkohë, ajo që bie në sy është edhe fakti se, ashtu si për prokurorët, edhe për gjyqtarët, ligji nuk e parashikon që të zgjidhen në krye të institucionit, duke bërë që të vijnë nga radhët e anëtarëve joprokurorë dhe jogjyqtarë, megjithëse ata janë më të shumtë në numër. Mbledhja e djeshme përfundoi me zgjedhjen e mandatit të anëtarëve, ndërsa tashmë pritet që në mbledhjet e tjera, në plan dite të jenë ngritja e organeve të tjera. Themelimi zyrtar i dy institucioneve, do t’i hapë rrugë krijimit të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, e njohur gjerësisht si SPAK, që ka për synim hetimet në nivele të larta të korrupsionit, përfshirë edhe personalitete në fushën e politikës.

Profili

Naureda Llagami ka një karrierë të gjatë në çështjet ligjore. Ajo e ka nisur karrierën si avokate në një shoqatë që ofronte shërbime ligjore falas, ku ka punuar për rreth 10 vjetësh, nga vitet 2000 deri në vitin 2010.

Më pas, ajo nis punë si pedagoge në një universitet privat dhe fiton një vend pune si eksperte në draftet ligjore në Ministrinë e Drejtësisë, nga 2010 deri në vitin 2011. Në vitin 2012, ajo merr një tjetër detyrë si eksperte ligjore në një shoqatë joqeveritare, ndërsa nis të japë mësime si pedagoge në një tjetër universitet privat.

Në vitin 2012 rikthehet në Ministrinë e Drejtësisë ku punon një vit si eksperte ligjore për çështjet e dhunës ndaj grave dhe përmirësimin e legjislacionit në këtë drejtim. Në dhjetor 2012, Llagami nis punë si ndihmëse ligjore në Gjykatën e Lartë, në të cilën punon deri në vitin 2016.