AKTUALITET, 18 Gusht 2018, 21:56

Plaku me golin e “ish”-it, Kamza bën ligjin në kryeqytet

Plaku me golin e “ish”-it, Kamza bën ligjin në kryeqytet

Kamza ka dhuruar sot një nga surprizat e sezonit, duke fituar me shifrat 1-0 në fushën e Tiranës. Ekipi i drejtuar nga Devolli ka bërë “krimin perfekt”, pasi ka pritur gjithë ndeshjen momentin e duhur dhe ka goditur në ekstremin e saj me anë të Sebino Plakut, i kthyer përsëri te skuadra ku luajti në sezonin e kaluar.

Tirana dominoi mbajtjen e topit, por nuk arriti të shfaqej shumë rrezikshëm para portës përveçse me goditjet standarde, duke konfirmuar edhe një herë problemet para portës të cilat dy vite më parë e hodhën nga kategoria. Ze Maria ka kërkuar prej kohësh një sulmues dhe me sa duket nëse nuk e gjen atë dhe vazhdojnë problemet e Ngoo, do ta ketë të vështirë të luftojë për objektiva shumë prestigjiozë.

Ndërkohë, Kamza ka vazhduar në lojën e saj tipike duke përdorur në mënyrë shumë efektive kundërsulmin. Në fund, diferencën e bëri Plaku, i cili mbetet përsëri një nga sulmuesit më të mirë në Superiore dhe do të mbyllë këtë sezon me shiritin e kapitenit te Kamza.