TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gjykata e Tiranës la në masën e sigurisë “Arrest në burg” efektivin e FNSH, Flamur Karaj, i cili dy ditë më parë plagosi rëndë kushëririn e tij.
Sipas prokurorisë, çdo gjë ka ndodhur pas një sherri banal.
Ndërkohë vetë Karaj ka pranuar ngjarjen, por tha se kushëriri e ka ofenduar dhe ka tentuar ta qëlloj dhe ai ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes. Në fund avokati i efektivit kërkoi caktimin ndaj tij të masës arrest në shtëpi.
NGJARJA
Policia e Tiranës njoftoi të shtunën se në fshatin Dorëz të Pezës dyshohej se, gjatë një konflikti të çastit mes dy kushërinjve ka mbetur i plagosur me armë zjarri shtetasi Enver Karaj, 48 vjeç, i cili është transportuar menjëherë për ndihmë mjekësore.
Autori i dyshuar i plagosjes, Flamur Karaj, 58 vjeç, ishte dorëzuar në Polici, ndërsa grupi hetimor kishte shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes për zbardhjen e rrethanave të krimit.
Në një tjetër njoftim zyrtar, Policia tha se specialistët e Sektorit të Krimeve Ndaj Jetës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.6 dhe me specialistët e Drejtorisë Rajonale të SHÇBA-së Tiranë, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Flamur Karaj, 58 vjeç, lindur në fshatin Dorëz, njësia administrative Pezë dhe banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie në repartin e FNSH-së.
Arrestimi i tij u bë, pasi shtetasi Flamur Karaj, duke punuar në banesën e tij të vjetër, në fshatin Dorëz dhe pas një konflikti verbal dhe fizik me shtetasin Enver Karaj, djali i xhaxhait të tij, me armën e shërbimit e ka qëlluar atë në kokë.
I plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Menjëherë pas ngjarjes, punonjësi i Policisë Flamur Karaj është vetëdorëzuar pranë repartit të FNSHsë Tiranë, ku edhe shërbente.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një armë zjarri pistoletë, së bashku me karikatorin me 12 fishekë.
“Materialet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetasit Flamur Karaj, për veprën penale, ‘Vrasja me dashje’, e ngelur në tentativë”, tha zyrtarisht Policia.