AKTUALITET, 23 Mars 2018, 15:48

Peshëngritja shqiptare, sërish me doping, kësaj radhe Evangjeli Veli

Peshëngritja shqiptare, sërish me doping, kësaj radhe Evangjeli

Peshëngritja shqiptare është goditur sërish nga një tjetër skandal dopingu, pasi një tjetër sportiste ka rezultuar pozitive për përdorimin e substancave të ndaluara. Bëhet fjalë për peshëngritësen e re, Evangjeli Veli, e cila sipas analizave ka përdorur substancën e klenbuterolit.

Një gjë e tillë është konfirmuar zyrtarisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Agron Haxhihyseni. Ai ka sqaruar se peshëngritësja ka rezultuar pozitive nga kontrolli i kryer tek sportistët e përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në Evropianin e fundmarsit në Rumani.

Ky kontroll u krye nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Peshëngritjes. Ndonëse kjo substancë shërben kryesisht si një lloj mjekimi për të sëmurët kronikë me astmë, ndërsa gjerësisht përdoret edhe në rastet gripit për të luftuar sekrecionet në kraharor, ajo rezulton të përdoret edhe si element shtesë për të përmirësuar paraqitjen e sportistëve. Klenbuteroli është në listën e substancave të ndaluara të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe Agjencisë Botërore të Anti-Dopingut (WADA). Sipas autoriteteve amerikane të mjekësisë, kjo substancë nuk lejohet t’u injektohet kafshëve të destinuara për ushqim nga njerëzit.

Rezultimi pozitiv do t’i kushtojë Velit përveç pezullimit të paktën dyvjeçar, edhe humbjen e bursës olimpike që iu akordua vetëm para pak ditësh. Veli është peshëngritësja e dytë që rezulton pozitive për doping brenda këtyre 3 muajve të parë të 2018-ës, pas Romela Begajt. Ajo ishte një nga sportistet më premtuese të shtangës shqiptare të femrave dhe që në Evropianin që nis pas pak ditësh, pretendonte medalje.