AKTUALITET, 23 Mars 2018, 14:25

PD: Alket Hyseni u akuzua nga një qytetare në "Të Paekspozuarit" për vjedhje prone, prokuroria të hetojë

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka dalë sot në një konferencë shtypi nga selia e kësaj partie, duke kërkuar që prokuroria të hetojë  deputetin e PS-së, Alket Hyseni, pas denoncimit të zonjës Irini Bua, në emisionin "Të Paekspozuarit", ku zonja deklaroi se Hyseni i ka vjedhur 11 mijë metra katrorë tokë në Dhërmi.

"Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni, është sot i akuzuar publikisht, se ka vjedhur 11 mijë metra katrorë tokë, në bregdetin e Dhërmiut nga familja Bua. Denoncimi publik u bë në emisionin "Të Paekspozuarit", ku zonja Irini Bua, akuzon deputetin e Edi Ramës, për tjetërsimin e pronës, nëpërmjet falsifikimit dhe vjedhjes. Pasi ka blerë 11 mijë metra katrorë tokë, me dokumenta të falsifikuara, Alket Hyseni, ia kalon atë pronë, mikut të Edi Ramës, Gon Papuli. Ku i gjeti milionat një nënpunës shteti, ish doganieri Alket Hyseni? Ajo që e bën më të rëndë grabitjen e kësaj prone, është fakti se ai e ka kryer transaksionin, në kohën kur Edi Rama e kishte emëruar kryetar të task forcës, për identifikimin dhe regjistrimin e pronave, në bregdetin e jugut. Në këtë histori ka edhe një fakt tjetër shumë të rëndë. Kur po bëhen 24 orë nga denoncimi publik, i zonjës Irini Bua, Edi Rama, fshihet dhe hesht." u shpreh Noka.

PD i kërkon prokurorisë të hetojë këtë rast dhe të mos tregojë selektivitet.

"Partia Demokratike beson se ky është një rast që Prokuroria të mos tregohet selektive dhe të bëhet pjesë e axhendës politike të palës që është në pushtet." ​

Reagimi i PD-së - video:

Denoncimi i Irini Buas:

Në emisionin “Të Paekspozuarit”, një zonjë e quajtur Irini Buo, ka denoncuar deputetin e Partisë Socialiste, Alket Hyseni, se i ka vjedhur tokën në Dhërmi. Zonja Irini Bua, pretendon se Alket Hyseni i ka tjetërsuar 11 mijë metra tokë.

“Prona ësht vjedhur nga Alket Hyseni, 11 mijë metra. Letrat që keni ju përpara, vërtetojnë vjedhjen ose përvetësimin e pronës nga Alket Hyseni. Leje mbi pronën tonë ka dhënë Edi Rama. Alket Hyseni ka bërë marrëveshjen me kompaninë e Mirela Papulit. Nuk mund të ketë Alket Hyseni dhe kompania Papuli pronë, dhe ne nuk kemi asnjë metër katror tokë. Tani kanë dhënë leje ndërtimi tek Papuli për ndërtimin e një fshati. I bëj thirrje kryeministrit Rama që të pezullojë këtë vendim.”

/TPZ.AL/