AKTUALITET, 23 Mars 2018, 13:28

Berisha poston foto nga Shkodra, reagon Fuga i Ramës

Një foto e publikuar nga ish-lideri demokrat Sali Berisha me një fëmijë që është në rrugët e qytetit të Shkodrës me dy bukë në dorë dhe dy bidona ujë të pijshëm, ka shkaktuar reagimin e drejtorit të Komunikimit të kryeministrit, Endri Fuga.

Fuga, i cili gjendet në udhëtim me kryeministrin në Turqi, pasi ka parë postimin e Berishës, i ka treguar këtij të fundit se fotografia që ka postuar, nuk është e Shkodrës së sotme, por e vitit 2011, kur në qeveri ishin demokratët, dhe kryeministër ishte po Sali Berisha.

“Nuk është Shkodra sot doktor. Eshtë Shkodra e 2011. Shkodra sot është kjo majtas” shkruan Fuga, duke postuar një foto të bulevardit sot, krah asaj të postuar nga ish-kryeministri.

Pavarësisht debateve që po bëhen më së shumti në rrjetet sociale, me akuzat për neglizhim të situatës, apo edhe me foto e pamje që të prekin, sot, Shkodra është nën ujë dhe ka nevojë për ndihmë.