AKTUALITET, 4 Shkurt 2019, 11:58

Përdhunimi i të miturës në grup, me çfarë e shantazhonin 13-vjeçaren. Kishte frikë se…

Përdhunimi i të miturës në grup, me çfarë e

Përdhunimi në grup i një vajze 13-vjeçare, nxënëse në shkollën 9- vjeçare “Rilindja” në Kavajë, qe solli arrestimin e 7 adoleshentëve, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim ishte shoqëruar me shantazh të të miturës përmes një videoje intime.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur fillimisht në muajin nëntor, por ka vijuar edhe gjatë këtyre muajve, pasi vajza e mitur shantazhohej nga shokët e saj të shkollës përmes një videoje intime.

Për këtë arsye, ajo ka pasur frikë që t’i drejtohej Policisë dhe kanë qenë prindërit e saj që kanë kuptuar gjithçka, duke e bindur më pas që të tregonte. Pak ditë më parë ata kanë bërë kallëzim në Komisariatin e Kavajës, por ende është e paqartë nëse drejtuesit e shkollës kanë qenë apo jo në dijeni të këtij fakti.

Lidhur me këtë ngjarje, Policia nuk ka dhënë asnjë njoftim, as para dhe as pas arrestimit të 7 djemve që kanë abuzuar seksualisht me 13-vjeçaren. Ngjarja u bë publike nga ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili ditën e shtunë publikoi në profilin e tij të “Facebook”, dy denoncime që kishin mbërritur në adresën e tij, shkruan Panorama.

Ndërsa dje, burime nga Gjykata e Durrësit, thanë se ishin dhënë masat e sigurisë në mungesë për 8 adoleshentë, të moshave nga 13 deri në 17 vjeç. Policia ka ekzekutuar 7 prej masave të sigurisë “arrest me burg” në mungesë, ndërsa një tjetër ende nuk është ekzekutuar dhe është bërë shpallja në kërkim e adoleshentit. Sot pritet të kryhet rivlerësimi i masës së sigurisë për personat e arrestuar nga Policia e Kavajës.

NGJARJA

Abuzimi seksual me 13- vjeçaren, nxënëse në shkollën “Rilindja”, në Kavajë, dyshohet se ka nisur që prej muajit nëntor. Disa nxënës të kësaj shkolle, por edhe dy gjimnazistë 17-vjeçarë, dyshohet se kanë përdhunuar në grup vajzën e mitur, duke i bërë shantazh përmes një videoje intime.

Dëshmitarët flasin për më shumë persona të përfshirë, megjithatë të paktën deri tani flitet për 8 persona, për të cilët është vendosur edhe masë arresti me burg nga Gjykata e Durrësit. Burimet thanë se e mitura dyshohet se ka qenë në një marrëdhënie intime me njërin prej djemve, ndërsa 7 të tjerët miqtë e ish-të dashurit të saj e kanë shantazhuar me një video intime, duke e kërcënuar se do ia publikonin në rrjetet sociale.

Në këtë formë ata e kanë detyruar që të kryente marrëdhënie seksuale me ta në vazhdimësi, duke i bërë sërish presion që të mos e denonconte ngjarjen në Polici.

Burimet thonë se me anë të shantazhit, që prej nëntorit deri në janar vajza është detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me 8 adoleshentët në ditë të ndryshme.

Kanë qenë prindërit e vajzës që kanë zbuluar skandalin dhe kanë njoftuar Policinë e Kavajës. Megjithatë, në lidhje me ngjarjen, Policia nuk ka dhënë asnjë njoftim, madje as pas arrestimit të 7 prej të dyshuarve. Burimet thanë se aktualisht vajza po merr trajtim psikologjik në shkollë, pas asaj që i ka ndodhur.