AKTUALITET, 13 Dhjetor 2017, 09:28

PD pranon kontratat e lobingut

PD pranon kontratat e lobingut

Partia Demokratike, me anë të juristit të saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Ivi Kaso, ka pranuar se kontratat e konsulencës që kapin vlerën e 650 mijë dollarëve të përdorura me kompanitë amerikane janë të vërteta, por ato nuk janë shpenzime të fushatës zgjedhore të 25 qershorit. Avokati i PD-së në KQZ theksoi dje se këto para janë paguar nga PD gjatë aktivitetit të saj të zakonshëm politik dhe si të tilla këto fonde do të deklarohen në raportin vjetor që PD do të depozitojë në KQZ në fund të vitit 2017. Sipas tij, nuk ka asgjë për të fshehur dhe se kontratat i janë vënë KQZ-së dhe auditeve në dispozicion nga vetë PD-ja.

Nuk ka asgjë të paligjshme dhe asgjë për t’u fshehur. Për sa u përket mospërputhjeve të tjera, ka kontrata konsulence që u janë vënë në dispozicion ekspertëve dhe monitoruesve të zgjedhjeve nga vetë PD-ja. Janë dhe pagesat që u janë vënë në dispozicion ekspertëve të KQZ-së nga vetë PD-ja, të cilat nuk figurojnë në raportin financiar të fushatës zgjedhore të PD-së dhe kjo për një arsye të thjeshtë, sepse janë kontrata që nuk kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore të subjektit zgjedhor PD. Janë pagesa që nuk lidhen në asnjë mënyrë me pagesat zgjedhore të subjektit Partia Demokratike. Janë kontrata dhe marrëveshje të cilat lidhen me aktivitetin e zakonshëm politik të subjektit Partia Demokratike. Si të tilla, ato përfshihen në raportin e përgjithshëm vjetor të vitit 2017 të PD-së”, – ka deklaruar dje avokati Ivi Kaso.

TPZ.AL