AKTUALITET, 21 Shkurt 2018, 12:07

PD-LSI protesta në mars, në fokus familjet në nevojë

PD-LSI protesta në mars, në fokus familjet në nevojë

Opozita ka nisur përgatitjet për një tjetër protestë masive.  PD po përgatitet për një protestë të madhe, e cila pritet të mbahet në muajin mars. Në fokus të aksionit të radhës do të jenë familjet në nevojë, ku sipas opozitës janë përjashtuar rreth 20 mijë familje.

Report Tv mësoi se kreu demokrat, Lulzim Basha, ka vënë në lëvizje të gjithë deputetët dhe krerët e degëve, të cilët kanë nisur takimet derë më derë te familjet në nevojë në çdo cep të vendit. Basha ka udhëzuar të gjithë vartësit e tij të marrin informacione të vërteta mbi familjet e hequra nga ndihma ekonomike, nëse ata janë vërtet në nevojë ekonomike dhe përjashtimi nga skena rëndon gjendjen e tyre.

Mësohet se do ketë bashkëpunim shumë të madh mes partive opozitare për familjet e përjashtuara nga ndihma ekonomike. Takimet e politikanëve me familjet në nevojë do të vazhdojnë edhe dy javët në vijim, ku në fokus është organizimi i tyre për protesta, që nisin sërish në muajin mars.

Kjo është faza e parë, pasi protesta pritet të organizohet në rang qarqesh. Ka qenë pikërisht ndihma ekonomike që ka ndryshuar strategjinë e opozitës, duke e fokusuar objektivin e protestës te familjet e varfra dhe duke e zgjeruar protestën, jo më në qytete, por në qarqe.

Ka një bashkëpunim mes forcave opozitare për të organizuar familjet në nevojë, një arsye e fortë kjo që bën të zhvillohet një protestë opozitare edhe më e madhe se ato të kaluarat.