TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pano Soko, një prej ekonomistëve më të ndjekur për momentin, tregon për gazetën Mapo, vështirësitë që ka një familje normale për të bërë një javë pushime. Ai thotë se turizmi varet direkt nga ekonomia, të tjerat janë dytësore.
-Si paraqitet situata këtë vit për shqiptarët? Keni të dhëna sa përqind mund dhe sa nuk munden ti përballojnë një palë pushime?
-Nisur nga një anketim i bërë 2-3 muaj më parë, rezultonte se numri i shqiptarëve, të cilët deklaronin se përballonin të paktën një javë pushime, ishte në nivelet e 19%.
Ndërkohë që 81% deklaronin se nuk përballonin dot një javë pushime, në Shqipëri apo jashtë vendit.
Personalisht, nisur nga vëzhgimet empirike që bëj, jam i predispozuar ta shoh si real konstatimin e anketimit. Duket se shqiptarët më tepër zgjedhin të pushojnë fundjavave, sesa në periudha të gjata.
Dhe motivi, besoj unë, është shmangia e një prej shpenzimeve kryesore që është hoteleria. Pra shkojnë fundjavave në destinacione të afërta që mos paguajnë hotel. Pra duket se në thelb të sjelljes së pushuesve shqiptarë, këtë sezon, qëndron kursimi.
-Duke krahasuar të ardhurat mesatare të familjeve shqiptare dhe çmimet, duke filluar që nga nafta, deri te dhoma dhe ushqimi, sa mund të kushtojnë një palë pushime 2 javore për një familje?
-Kjo është në varësi të buxhetit dhe gamës së aktiviteteve që mendon të kryesh kur je me pushime. Por në një llogari të thjeshtë, duke bërë hesap vetëm ‘paketën bazë’, për 1 javë pushime në det, në jug, kostoja për një familje prej 3 vetash do të ishte:
-udhëtimi 15.000 lekë
-akomodim 35.000 lekë
-ushqim (restorant) 50.000 lekë
-të tjera (shezllon, kafe, pije etj) 30.000 lekë
Në total një pushim një javor, për një familje prej 3 vetash, në nivel “bazë” shkon rreth 130.000 lekë të reja, ose rreth 350 euro për person.
Kjo shifër, për gjendjen e familjeve shqiptare, është realisht gati e papërballueshme.
Prandaj gjithnjë e më shumë shohim ‘modifikime’ të aktiviteteve që kryhen gjatë pushimeve. Si për shembull sivjet trendi ka qenë që pushuesit të shkonin drejt apartamenteve, të cilat iu japin mundësi të përgatisin ushqimin vetë, duke shmangur restorantin.
-Cilat janë problematikat kryesore të turizmit këtë vit?
-Problematikat e turizmit vazhdojnë të jenë po të njëjtat që kanë qenë në vitet e fundit. Nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor. Problemi i turizmit është dhe mbetet ekonomia e familjeve. Nëse ekonomia është e mirë dhe turizmi shkon mirë. Nëse ekonomia shkon keq, i pari që goditet është turizmi. Të gjitha këto demonstrimet e pakënaqësive në rrjetet sociale vijnë si rezultat i pafuqisë ekonomike të shqiptarëve.
Pra kur nuk e përballojnë dot për shkak të të ardhurave të pakta, shqiptarët revoltohen dhe revoltën e shprehin me denoncime në rrjetet sociale. Nëse do ta përballonin, nuk do të kishim të tilla reagime.
Turizmi është tërësisht i varur nga ekonomia, kjo është ajo që duhet kuptuar. Çdo gjë tjetër është e një rëndësie dytësore.
/ Mapo/