AKTUALITET, 4 September 2026, 19:23

Nisma ‘Besa’/ Deputeti i PS takim me banorët e Gjirokastrës, të moshuarit kërkojnë zgjidhje për problematikat e zonës

Në kuadër të nismës “Besa”, deputeti Piro Dhima zhvilloi një takim me banorë të Gjirokastrës, kryesisht të moshuar, të cilët u paraqitën në zyrat e Partisë Socialiste për të ngritur shqetësimet e tyre.

Banorët thanë se nuk kishin ardhur thjesht për të diskutuar probleme personale, por problematika që, sipas tyre, prekin një pjesë të madhe të komunitetit. Në fokus të ankesave ishin shërbimet e munguara dhe problematikat e përditshme me të cilat përballen qytetarët, duke e kthyer takimin në një adresim të drejtpërdrejtë të pakënaqësive ndaj Bashkisë së Gjirokastrës.

Të moshuarit kërkuan që problematikat e tyre të mos mbeten vetëm në kuadër të një takimi politik, por të marrin zgjidhje konkrete nga institucionet përgjegjëse.

Takimi vjen në një kohë kur banorët e Gjirokastrës vijojnë të ngrenë zërin për cilësinë dhe mungesën e shërbimeve publike, duke kërkuar që shqetësimet e komunitetit të mos dëgjohen vetëm gjatë takimeve, por të pasohen me veprime konkrete.