TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Breshëri që përfshiu të enjten fshatrat Dobranj dhe Braçanj në Devoll ka shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi. Më të prekura janë sipërfaqet me fasule, por dëme ka edhe në qepë, domate, speca dhe në pemëtoret, kryesisht në mollë e dardha. “Dëmi është goxha i madh, i ka rrëzuar të tëra përtokë. Edhe ato që janë, janë gati për t’u rrëzuar. Fasulja është më e dëmtuara. Unë kam 30 dynym, 3 hektarë. S’kemi fare ndihmë nga shteti. I njëjti avaz 15 vite”, tha mes të tjerash një fermer.
Në fshatin Dobranj, rreth 50 fermerë kanë pësuar dëme në një sipërfaqe prej rreth 30 hektarësh me fasule. Breshëri i ka goditur të mbjellat në prag të korrjes, duke rrezikuar një pjesë të konsiderueshme të prodhimit.
“Ra goxha sasi breshëri, rreth 40 minuta dhe dëmtoi më shumë kulturën e fasules. Por këtë radhë bëri goxha dëm. Edhe ajo fasule që është, është e çarë tani. I ka hyrë uji brenda dhe nuk del më në treg”, tha mes të tjerash kryeplaku i fshatit, Petrika Zyfi. Fermerët thonë se nuk është hera e parë që përballen me dëme nga moti i keq dhe në rastet e mëparshme nuk kanë marrë dëmshpërblim. Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve dhe evidentimin në kohë të dëmeve.
Bashkia Devoll ka nisur inspektimet ne Braçanj dhe Dobranj, ndërsa deri tani janë konstatuar rreth 40 hektarë tokë bujqësore të dëmtuara, me një shkallë dëmi rreth 40%. Inspektimet do të vijojnë edhe gjatë tre ditëve të ardhshme, për të përcaktuar më saktë bilancin e dëmeve.