AKTUALITET, 4 September 2026, 15:59

Përplasja e biznesmenëve në Vlorë, reagon ashpër Rama: Do të shpronësojmë për interes publik të gjithë atë zonë për të cilin lindi konflikti

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me përplasjen e djeshme mes dy sipërmarrësve në zonën e Orikumit në Vlorë, duke deklaruar se do ta shpronësojnë zonën për të cilin nisi konflikti, që e cilësoi si banal e brutal, dhe do ta kthejnë në një aset publik dhe turistik.   
Përmes një videoje në rrjete sociale, kryeministri tha se vendimi është marrë pas analizimit të situatës dhe hartës pronësore të zonës, duke theksuar se synimi është t’i jepet fund konfliktit, por edhe të përcillet një mesazh për të gjithë aktorët që operojnë në sektorin e turizmit.

Sipas tij, zhvillimi i turizmit nuk lidhet vetëm me transformimin fizik të territorit, por kërkon edhe një standard të ri sjelljeje nga të gjithë aktorët e sektorit, nga investitorët deri te punonjësit.

“Historia e djeshme e konflikti banal dhe brutal mes dy ndërtuesve dhe nga ana tjetër një analizë e hartës pronësore të zonës në fjalë na ka bindur se vetëm jo duam t’i japim fund asaj historie, por dhe një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë dhe menaxhojnë asete turistike. Ata nuk e kuptojnë që nuk mund ta cenojnë me qasjet dhe sjelljet e tyre lënduese atë që është mision i madh kombëtar, i Shqipërisë Turistike që shkon shumë përtej transformimi fizik të vendit, dhe u imponon të gjithë aktorëve të vet në radhë të parë nga investitorët te kamarierët që të mendojë dhe të sillen si ambasadorë të turizmit edhe me njëri tjetrin, lërë pastaj me shoqërinë shqiptare dhe me vizitorët e panumërt që trokasin në dyert e Shqipërisë. Prandaj banaliteti dhe brutaliteti i çdo natyre duhet të marrin përgjigjet që kërkon rëndësia shoqërore e një misioni të tillë kombëtar dhe autorët e veprimeve lënduese të çdo niveli, me dhunë mbi tjetrin, me harbutllëk mbi klientët, me papërgjegjshmëri mbi hapësirën e përbashkët publike apo me akte arrogance apo zhurma shurdhuese mbi komunitetin duhet të bëhen shembull. Shembull të një vije të kuqe të dosmosdoshme për Shqipërinë turistike. Ne kemi vendosur ta shpronësojmë për interes publik të gjithë atë zonën e atij konflikti banal e brutal të ditës së djeshme dhe ta kthejmë sipas ligjit në një aset publik dhe turistik për të gjithë, një oaz natyror për pemën e bekuar të ullirit, një park i gjallë ku do të mbillen dhe ruhen varietetet autoktone shqiptare dhe ato më përfaqësuese të Mesdheut, si edhe do të ekspozohen tërë vajrat e ullirit që prodhohen në Shqipëri.”, tha Rama.