AKTUALITET, 5 November 2026, 13:40

Berisha: Rama, përgjegjësi për konstatimet e rënda të KE. Progres raporti e ka damkosur, i kishte rënë një nur i zi! U evidentuan problemet e diktaturës autoritare

Berisha: Rama, përgjegjësi për konstatimet e rënda të

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi kryeministrin Edi Rama si përgjegjësin kryesor për problematikat e evidentuara në raportin vjetor të Komisionit Evropian për Shqipërinë. Në daljen e sotme për mediat, Berisha tha se, në krahasim me Malin e Zi, Shqipëria paraqitet si një diktaturë autoritare.

“Nga alfa te omega, Padrinoja i Shqipërisë rezulton përgjegjës kryesor për të gjitha konstatimet e rënda të Komisionit Evropian për Shqipërinë këtë vit. Ky është raport i paprecedent në historinë e raporteve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Cili të dojë të krahasojë këtë raport me raportin e funksionimit të demokracisë, shtetit ligjor të Malit të Zi dhe do të gjejë se Shqipëria krahasuar me Malin e Zi është një diktaturë autoritare. Raporti vë gishtin në problemet më madhore të diktaturës autoritare në Shqipëri apo autokracisë elektorale të Edi Ramës.”, tha Berisha.

Kryedemokrati theksoi se KE kërkon 115 ndryshime për vitin e ardhshëm, duke përmendur Reformën Zgjedhore, rikthimin e kontrollit parlamentar mbi qeverinë dhe buxhetin e shtetit, transparencën në prokurimet publike dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtura.

“Shqiptarët duhet ta dinë se Komisioni Evropian i kërkon Shqipërisë 115 ndryshime për vitin e ardhshëm, nga të cilat disa të karakterit më urgjent siç janë reforma zgjedhore, kthimi i kontrollit parlamentar mbi qeverinë dhe buxhetin, heqjen e përjashtimeve nga prokurimet publike dhe ndalimi i dëmtimit të zonave të mbrojtur. Që të gjitha këto kanë autor dhe krye-autor Padrinon e Shqipërisë. Është ai, i cili me ndërhyrjet brutale në procesin zgjedhor, lejoi organizimin dhe organizoi vetë 4530 aktivitete për të ndikuar tek zgjedhësit shqiptarë.”, tha ai.

Ai akuzoi Ramën për ndërhyrje në procesin zgjedhor, përdorim të burimeve shtetërore për qëllime elektorale dhe lidhje me krimin e organizuar. Berisha deklaroi gjithashtu se rekomandimet e raportit dëshmojnë, sipas tij, për përqendrimin e pushteteve dhe dobësimin e demokracisë në Shqipëri.

“Është ai, i cili që nga viti 2020 gjer sot, ka marrë në duart e tij të zeza mbi 90 përqind të pushteteve në vend. Është ai, i cili për të mbetur në karrige, arrestoi në vitin elektoral liderëve e partive kryesore opozitare dhe të partisë së tretë e vendosi në ndjekje penale. Është ai, i cili për të blerë votat, shpërndau në kulmin e fushatës elektorale 100 euro për çdo pensionist.

Është ai, Edi Rama dhe asnjë tjetër, i cili për të mbajtur me çdo kusht mandatin, vetëm dy ditë para zgjedhjeve fali 2.1 miliardë gjoba dhe kamata. Është ai që ka organizuar ushtrinë e terroristëve politikë elektoralë. Është ai, dhe asnjë tjetër, që aktivizoi të gjitha kartelet e drogës dhe organizatat kriminale me Gysin e tij për të futur në parlament 28 deputetë të krimit.

Është Edi Rama që vendosi të licencojë 138 licenca për mbjelljen e 29 mijë hektarë kanabis drogë për votë. Është Edi Rama arkitekti i shkeljes së parimit më themelor të zgjedhjeve të lira, barazisë në garë. Raporti e damkos prandaj edhe i kishte rënë një nur i zbehtë në të zi! E dëgjuat dje apo jo? Dje tha, ky është raporti më i mirë që ka dalë nga Brukseli, por sot i kishte rënë… se nuk po dua të përdor atë fjalë që nuk më shkon mua.”, shtoi Berisha.