AKTUALITET, 4 September 2026, 17:42

Zjarri rrezikoi banesat në zonën e Qukës-Shkumbin, ndërhyrja e zjarrfikësve frenon flakët

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme përfshiu pasditen e kësaj të premteje zonën e Qukës-Shkumbinit, në bashkinë Prrenjas, duke krijuar rrezik për banesat pranë vatrës së zjarrit.

Pas njoftimit nga banorët, kryeplaku dhe administratori i zonës, shërbimet zjarrfikëse të Prrenjasit dhe Librazhdit mbërritën në terren dhe nisën menjëherë punën për izolimin e flakëve. Në operacion u angazhua edhe Policia e Shtetit.

Situata u menaxhua përmes bashkëpunimit të strukturave lokale me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Prefekturën e Qarkut Elbasan.

Ndërhyrja e shpejtë bëri të mundur vënien nën kontroll të zjarrit dhe shuarjen e vatrave, duke shmangur përhapjen e flakëve drejt zonës së banuar. Si pasojë, u parandalua dëmtimi i dhjetëra banesave që ishin rrezikuar nga zjarri.

Ekipet vijojnë monitorimin e zonës për të shmangur riaktivizimin e flakëve, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar shkaku i rënies së zjarrit.