AKTUALITET, 18 Dhjetor 2017, 18:36

Nga Petrit Serjani, tek Arta Marku, ja kush janë tetë Kryeprokurorët e Shqipërisë

Nga Petrit Serjani, tek Arta Marku, ja kush janë tetë
Arta Marku u votua sot në Parlamentin e Shqipërisë si Prokurorja e Përgjithshme e vendit, edhe pse me një mandat të cilësuar si i “përkohshëm”. Ajo është kryeprokurori i tetë pas shembjes së regjimit  komunist dhe ndryshimit të sistemit, dhe e dyta femër pas Ina Ramës. Më parë, në postin më të rëndësishëm të hetimit, kanë qenë Petrit Serjani, Maksim Haxhiaj, Alush Dragoshi, Arben Rakipi, Theodhori Sollaku, Ina Rama dhe Adriatik Llalla, që nga sot i ka lënë vendin zyrtarisht Arta Markut. TPZ.AL sjell  profilet e të tetë kryeprokurorëve që ka patur Shqipëria.  1-PETRIT SERJANI (maj 1991-korrik 1992)

Ish-kryetari i Hetuesisë së Tiranës u emëërua kryeprokuror me vendim të Parlamentit të parë pluralist të dalë nga zgjedhjet e 31 marsit, ku Partia e Punës, atëherë nën drejtimin e Ramiz Alisë, fitoi me një shumicë të qartë zgjedhjet. Petrit Serjani fitoi në votimin me një tjetër kandidat, Spiro Peçin, të cilin Kuvendi i parë pluralist në maj 1991 e emëron Zëvendësprokuror të Përgjithshëm të Republikës, detyrë të cilën e ka kryer deri në qershor 1992. Petrit Serjani qëndroi në detyrë nga maji i vitit 1991 deri në korrik të vitit 1992. Aktualisht, vazhdon të ushtrojë detyrën e avokatit.

2-MAKSIM HAXHIA (gusht 1992-nëntor 1992)

Bashkëthethemeluesi i studios ligjore “Haxhia & Hajdari” u zgjodh prokuror në gusht të vitit 1992, por ai mbijetoi vetëm katër muaj, pasi në nëntor të po këtij viti, ai shkarkua nga parlamenti i dominuar plotësisht nga Partia Demokratike. Në fakt, seanca e shkarkimit të tij në parlament u mbajt, më 17 shtatorit 1992, kur një grup deputetësh të PD-së paraqitën një mocion kundër Prokurorit të Përgjithshëm, Maks Haxhia. Ai kritikohej për shumë mangësi në drejtimin e këtij institucioni ndër të cilat dhe më kryesorja ishte dënimi i munguar për ish-anëtarët e Byrosë Politike. Aktualisht, ai është Kryetari i Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë dhe ka qenë avokat në disa nga proceset e bujshme, si çështja e Gërdecit, apo tani i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

3-ALUSH DRAGOSHI (nëntor 1992-gusht 1997)

Njihej si dora e fortë e Partisë Demokratike, dhe më të ardhur në pushtet socialist, pas vitit të “mbrapshtë 1977”, u shkarkua në gusht të këtij vit, pa e plotësuar kohën prej pesë vjetësh: vetëm 4 vjet e nëntë muaj. Arrestimi i Fatos Nanos është firmosur nga Kryeprokurori Alush Dragoshi, ashtu edhe i ai i Ramiz Alisë, presidentit të fundit komunist, njëherësh edhe Sekretari i Parë i fundit i Partisë së Punës.

4-ARBEN RAKIPI (gusht 1997-mars 2002)

I preferuar nga Fatos Nano, tashmë sërish kryeministër i vendit pas daljes nga burgu dhe fitimit të zgjedhjeve, parlamentare, Arbeb Rakipi u emërua me dekretin e Presidentit Rexhep Mejdani. Në kohën e Rakipit ndodhi vrasja e bujshme e Azem Hajdarit (1998), si dhe arrestimi i Zani Çaushit, i njohur si “kapobanda e Vlorës”. Një nga arrestimet e Rakipit është ai i Sokol Koçiut, një ish-mikut të tij të ngushtë, një prokuror që ishte përfshirë në trafikun e drogës në Vlorë. Në datë, 18 mars 2002, Rakipi u shkarkua pas një votimi në parlament: 78 vota pro, 10 kundër, 5 abstenime.

5-THEODHORI SOLLAKU (mars 2003-nëntor 2007)

Ish-këshilltari ligjor i Sali Berishës, në kohën kur lideri historik i së djathtës ishte President dhe kandidat për deputet i PD-së në Sarandë në zgjedhjet e vitit 1996, Theodhori Sollaku, Doktor i Shkencave Juridike u emërua Prokuror i Përgjithshëm, mars 2003. U cilësua si figurë konsensuale pasi kishte qënë këshilltar  i Berishës kur ishte President dhe më pas kishte qëndruar në këtë detyrë edhe gjatë presidencës së Rexhep Meidanit. Por, kryeministri Sali Berisha këmbënguli disa herë për shkarkimin e tij gjatë ushtrimit të detyrës nga ana Sollakut. Ishte presidenti i atëhershëm, Alfred Moisiu refuzoi të firmosë shkarkimin e Sollakut nga detyra. Sollaku qëndroi pesë vite të plota në detyrë, deri në nëntor 2007. E bujshme është vrasja e shoferit të tij, për të cilën mendohej se ishte kryer nga banda “Hakmarja për Drejtësi”. Tani është avokat. Një nga të fundit që ka mbrojtur Sollaku është ish-kryetri i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi.

6- INA RAMA (nëntor 2007-nëntor 2012)

Një nga të parat e diplomuar në shkollën e Magjistraturës (2001) dhe me disa detyra të tjera si gjyqtare në Lushnjë dhe Durrës, Ina Rama ishte një propozim i Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Juristja 35 vjeçare,  ishte anëtare e gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda. Emërimi i saj i befasoi të gjithë, por në prapaskenat e politikës, u konsiderua si një pakt i zgjedhjes së Topit President, dhe ishte i lidhur me shkarkimin e Sollakut. Në fakt, fillimisht ajo u konsiderua nga PD-ja (në mazhorancë) si “Silvia Konti”, por më pas ishte Kryeministri Sali Berisha që këmbënguli në mënyrë të vazhdueshme për largimin e saj të parakohshëm, pas qëndrimeve të Ramës në lidhje me vrasjet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, më 21 janar 2011. Gjithsesi, me mbështetjen e amerikanëve, ajo e mbaroi mandatin e saj. Dy ishin çështjet më të bujshme në kohën e saj: “Gërdeci” dhe “Rruga e Kombit”, në këtë të fundit ishte i akuzuar kreu aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

7- ADRIATIK LLALLA (dhjetor 2012-dhjetor 2017)

Llalla erdhi në krye të Prokurorisë, pasi më parë kishte qenë Inspektor i Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (2008-2012). Adriatik Llala kishte qenë më parë prokuror në Lushnjë, Kavajë, Fier, ndërkohë që ishte dhe Kryetar i Këshillit të Prokurorisë.  Gjatë pesë viteve të Llallës u fol shpeshherë për procese të bujshme, por që në fakt asnjëherë nuk ndodhën të tilla. I bujshëm mund të quhet arrestimi i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, por ai më vonë fitoi pafajësinë.  Kryeprokurori kishte mbështetjen e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste, por ia doli të rruante edhe ekuilibrat me Partinë Socialiste. Gjithsesi, Llalla së fundi nuk e kishte mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Tiranë, dhe janë të njohura akuzat e tij ndaj ambasadorit Donald Lu, në lidhje me një ndërhyrje të supozuar në lidhjen me pushimin e hetimeve të kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”.

8- ARTA MARKU (dhjetor 2017, me detyrë të përkohshme)

Prokurorja e Shkodrës u votua në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të përkohshëm me procedurë që u mbështet vetëm nga Partia Socialiste, pasi opozita parlamentare, PS-LSI dhe partitë e tjera e konsideruan atë një proces të paligjshëm dhe antikushtetues.

  /TPZ.AL/