AKTUALITET, 12 Nëntor 2017, 22:26

Meta lë pezull dekretimin e kreut të SHISH

Meta lë pezull dekretimin e kreut të SHISH

Presidenti i Republikës, Ilir Meta është ende në dilemë për kreun e ri të  SHiSH. Edhe pse propozimi i Kryeministrit, Edi Rama është në tavolinën e Metës prej dy javësh, ky i fundit ende nuk e ka dekretuar atë.

Sipas ligjit, në dekretet për çështje të sigurisë kombëtare, nuk parashikohen afate, çka e vendos Metën në pozicion korrekt në raport me ligjin.

Por nga ana tjetër, kjo vonesë tregon shumë për marrëdhëniet e Presidentit me Kryeministrin.

Presidenti dekretoi menjëherë shkarkimin nga detyra të ish-kreut të SHISH, Visho Ajazi Lika dhe në pamje të parë mirëpriti kanidaturën e re të Kryeministrit.

Helidon Bendo me një karrierë të gjatë në shërbim, e ka nisur punën si inspektor i thjesht në terren dhe arriti në pozicionin e zv.drejtorit të përgjithshëm të SHISH.

Pas kësaj detyre, i përkrahur edhe nga amerikanët, (pasi më herët ka mbajtur detyrën e shefit të kundër-spiunazhit), Bendo u propozua nga Kryeministri për kreun e Shërbimit Informativ.

Nga zyra e Presidentit ende nuk ka një dekret për këtë propozim, çka tregon se dy ish-aleatët e dikurshëm nuk janë në sinkron as për çështje të rëndësishme si Siguria Kombëtare, apo marrëdhëniet me aleatin strategjik.

Ose Presidentit i duhet më shumë kohë për të verifikuar të shkuarën e kandidatit për kreun e  Shërbimit, i cili rezulton me dy emra: Helidon dhe Johan, pasi ka qëndruar si emigrant prej disa kohësh në Greqi.