AKTUALITET, 12 Nëntor 2017, 18:03

Rama shpall projektet e rinj: ndriçimin e rrugëve dhe rilindjen rurale

Rama shpall projektet e rinj: ndriçimin e rrugëve dhe rilindjen

Kryeministri Edi Rama gjatë komunikimit javor bëri të ditur projektin e ri të Qeverisë për “ndriçimin e rrugëve dhe rilindjen rurale”.

HISTERIA E POLITIKËS

“Shqipëria që duam është plotësisht e mundur dhe është në dorën tonë ta bëjmë realitet, por ajo bëhet vetëm me punë dhe jo më llafe. Vetëm më reforma të vështira e me mundim prej patriotësh, jo me sherre dhe gënjeshtrash përtacësh. Vetëm me një hap të vogël, çdo ditë, në rrugën e jetës reale, jo me iluzione dhe pallavra në rrugët e katundit të politikës. Kujt i duhet sherri dhe konfliktin e mexhlisit politik, njerëzve të zakonshëm jo, njëherë.

Po, kujt i duhen akuzat, shpifjet, fyerjet që politika prodhon për ditë, shqiptarëve që duan shtet dhe punë, jo njëherë? Kujt i duhet loja politike me krimin, ku politika derdh llumë çdo ditë në shtëpitë e shqiptarëve, për t’i nxjerrë sytë kundërshtarit. Shqipërisë? Absolutisht, jo. Është me të vërtetë për të ardhur keq, kur sheh kazanin e politikës të ziejë në vorbullën e llafeve pa fund, e gënjeshtrave pa asnjë mbarim, ndërkohë që politika shqiptarëve u duhet për të bërë shtetin, për të rritur punësimin dhe garantuar mirëqenien e familjeve të tyre. Por, kjo vjeshtë histerike e politikës dhe as histeria e politikës tradicionale, kacafytëse për karriget e humbura, jo për idetë e pasura nuk mund të na pengojë, dhe nuk do të na pengojë të bëjmë detyrën tonë, ta mbajmë të plotë përgjegjësinë e jashtëzakonshme që na kanë dhënë njerëzit e zakonshëm”, tha Rama.

RRUGË TË NDRIÇUARA

“U deshën shumë hapa të vegjël, për të arritur më në fund vetëm një hap larg nga nisja e ndërtimit të Rrugës së Arbërit. Plot, katër vjet për të ardhur deri këtu, ama erdhëm, jo si të tjerët, që u nisën dhe u harruan gjithnjë rrugës, duke e kthyer rrugën e Arbërit në një nga premtimet më të përsëritura dhe më të pambajtura të historisë së politikës shqiptare. Ndryshimet e vërteta bëhen me punë, duhet durim, kohë dhe kanë vështirësi të panumërta. Kështu kemi bërë jo pak gjëra, por do të bëjmë më tepër akoma në këto katër vite plot mundësira të reja që kemi përpara.

Kemi një program masiv investimesh që ka filluar me Rrugën e Arbërit, por do të vazhdojë për t’i kthyer rrugët kombëtare në rrugë europiane, me siguri dhe lëvizshmëri të garantuar, me standarde të certifikuara dhe natyrisht me hijeshi ditën dhe ndriçim si duhet natën. Merreni me mend, që 27 vjet natën në gjithë Shqipërinë ndriçohet vetëm Rinas-Tiranë. Sa shumë akoma kemi për të bërë. Por, duke hedhur çdo ditë nga një hap, të vogël, por të rëndësishëm përpara dhe do të bëjmë një progres të konsiderueshëm. Do të krijojmë shumë më tepër zhvillimi ekonomik, punësimi dhe integrimi social, për gjithë shqiptarët nga Veriu në Jug”, - shtoi ai.

RILINDJA RURALE

Në Buxhetin e ri do të iniciojmë edhe një program të ri, për ta çuar “rilindjen urbane”, përtej qendrave të qyteteve që tani më janë pothuajse të gjitha të rindërtuara. Me përparësi zonat rurale, ku ka nisur pak nga pak, por ku mund të zhvillohet më tepër turizmi. Duam të nxisim më tutje, jo vetëm turizmin në bregdet, por turizmin malor. Prandaj, do të ndërhyjmë për të çuar rrugët e rilindjes urbane në Theth dhe në Kurvelesh, në Lurë dhe në Frashër, dhe kështu në çdo destinacion, ku bukuritë e jashtëzakonshme të natyrës dhe talenti i sipërmarrjs së njerëzëve të zakonshëm, mund dhe do të bëjnë diferencën mes të shkuarës pa shtet dhe të nesërmen me shtetin në krah.

Gjatë dy ditëve të punës në komunitetet në Qarkun e Dibrës jemi ulur së bashku me kryebashkiakët e bashkive të qarkut, pa dallime partiake, dhe për çfarë kemi folur? Kemi folur për hallet e njerëzve, për infrastrukturën e rrugëve dhe për reformën e domosdoshme jetike të ujit, për mbështetjen për bujqësinë dhe shërbimet: ato shëndetësore, arsimore dhe sociale, që duhen përmirësuar me patjetër, për të ardhurat e pushtetit vendor dhe rritjen e punësimit, në tërësi dhe në veçanti. Shqipëria që duam nuk është slogan, por është një mundësi që e kemi ne në dorë. Këtë mundësi do ta kthejmë në veprat që i duhen Shqipërisë, me punë, durim, këmbëngulje dhe natyrisht së bashku”, përfundoi Kryeministri Rama.

TPZ.AL

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155303962121523/?fref=ts