TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se duke nisur nga viti i ardhshëm, fëmijët do të qëndrojnë në shkollë deri në orën 17:00. Nisma synon t'u vijë në ndihmë prindërve që janë në punë, ndërsa për nxënësit parashikohet zgjerimi i aktiviteteve sportive, kulturore dhe sociale pas përfundimit të procesit mësimor.
Gjatë fjalës së tij këtë pasdite, Rama theksoi se zgjatja e qëndrimit në shkollë do t'u japë fëmijëve mundësi të angazhohen në aktivitete të ndryshme, si sporti, piktura, fotografia, zejet dhe aktivitetet artistike, duke ndihmuar edhe në socializimin e tyre.
Kryeministri bëri të ditur se për këtë nismë është parashikuar edhe një buxhet i dedikuar, në mënyrë që prindërit të mund të vijojnë punën ndërkohë që fëmijët qëndrojnë në shkollë deri në orët e pasdites.
“Tjetra është puna që duhet bërë bashkërisht mes nesh e shoqërisë civile për të rritur gamën e aktiviteteve sociale të fëmijëve nga sporti te kultura, në mes të të cilave janë të gjitha pjesët që kanë të bëjnë me skenën, pikturën, zejet, fotografinë e me radhë. Zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë do të fillojë menjëherë vitin e ardhshëm. Kemi vendosur një buxhet që prindërit të punojnë dhe fëmijët do të jenë në shkollë deri në 5 pasdite”, tha Rama.
Një tjetër çështje e bërë publike nga kryeministri lidhet me kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit. Për këtë nismë, Rama bëri të ditur se do të zhvillohen konsultime me prindërit dhe mësuesit, përpara përcaktimit të masave që do të ndërmerren.