AKTUALITET, 30 October 2026, 18:00

Rama në Këshillin për Mbrojtjen e Fëmijëve: Jemi dëshmitarë të himnizimit të dhunës, dhunuesit marrin status qytetarie dhe imunitet mediatik

Rama në Këshillin për Mbrojtjen e Fëmijëve: Jemi

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, ku në fokus të diskutimeve janë protestat e dhunshme dhe nevoja për hartimin e një plani të përbashkët veprimi me Shoqërinë Civile dhe institucionet partnere ndërkombëtare.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te ajo që e cilësoi si një panoramë shqetësuese të qëndrimit të një pjese të shoqërisë ndaj dhunës, duke theksuar se kjo e fundit është relativizuar, justifikuar dhe madje himnizuar.

Kryeministri kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, dhuna ndaj institucioneve, shkollave dhe pronës publike e private është trajtuar në hapësirën mediatike, ndërsa Policia e Shtetit është kthyer në objekt stigmatizimi.

“Ky këshill merr rëndësi të veçantë si një tryezë ku vështrimet e ndryshme na ndihmojnë të gjithëve të ndërtojmë një qasje që duhet t’i përshtatet mësimeve të këtij momenti. Unë besoj dhe ndajmë opinionin që jemi bërë dëshmitarë të një panorame shqetësuese të qasjes së një pjese të shoqërisë ndaj një tabuje për të gjitha demokracitë, për të gjitha rrugët e bashkëjetesës në demokraci që është dhuna. Kemi parë sesi dhuna është relativizuar, justifikuar dhe himnizuar. Jo vetëm kaq, por kemi parë sesi dhuna ka marrë një drejtim tërësisht keqinformues dhe keqedukues duke u kthyer në një stigmë të Policisë së Shtetit, ndërkohë që gjithë dhunuesit e institucioneve, shkollave, lirisë dhe së drejtës së gjithkujt për të bërë mësim, pronës publike e private, kanë marrë një status qytetarie dhe imunitet mediatik si përçues të një përpjekjeje të admirueshme për të përmbysur një sistem”, tha Rama.

Në këtë tryezë pritet të trajtohet nevoja për një koordinim më të madh mes institucioneve shtetërore, Shoqërisë Civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, me synim adresimin e problematikave që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe parandalimin e dhunës.