TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një shtetas shqiptar është arrestuar në Greqi, si një nga tre të dyshuarit për shpërthimin tragjik të ndodhur më 25 shtator në lagjen “Plaka” të Athinës, ku humbën jetën gjashtë persona, mes tyre edhe shqiptarë me shtetësi amerikane.

I arrestuari është Kolian Ilia, 34 vjeç, i cili u vu në pranga së bashku me dy shtetas grekë, përkatësisht 37 dhe 55 vjeç. Sipas hetimeve të autoriteteve greke, tre personat dyshohet se janë futur në ndërtesë për të vjedhur tubat e bakrit dhe për t'i shitur më pas.

Ndërhyrja në sistemin e furnizimit me gaz dyshohet se ka dëmtuar tubacionin, duke shkaktuar rrjedhjen e gazit natyror. Ky i fundit është grumbulluar në ambientet e godinës dhe ka shpërthyer disa orë më vonë, duke shkaktuar shembjen e ndërtesës.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 25 shtatorit, në rrugën Lysikratous, në zonën e Plakës.
Për zbardhjen e rrethanave, hetuesit e zjarrfikësve kanë analizuar dhjetëra pamje nga kamerat e sigurisë, duke rindërtuar lëvizjet e të dyshuarve para dhe pas hyrjes në ndërtesë. Pamjet tregojnë tre persona që i afrohen godinës neoklasike rreth orës 02:00 të mëngjesit. Dy prej tyre hyjnë brenda dhe qëndrojnë për disa minuta, përpara se të largohen duke mbajtur me vete një pjesë të tubit të bakrit.
Hetimet janë plotësuar edhe nga analizat laboratorike të Universitetit Teknik Kombëtar të Athinës, të cilat identifikuan pikën e rrjedhjes së gazit pranë matësit të gazit natyror në katin përdhes. Ky zbulim i orientoi hetuesit drejt instalimit të brendshëm të gazit dhe jo rrjetit të jashtëm.
Sipas informacioneve, tre të arrestuarit kanë qenë të ndaluar dhjetëra herë edhe më parë për vepra të ndryshme penale, përfshirë vjedhje, grabitje, posedim armësh, drogë dhe plagosje të rënda trupore.
Mes gjashtë viktimave të shpërthimit ishin edhe katër anëtarë të një familjeje shqiptare: Florida Hoxha, vëllai i saj Florin Hoxha, bashkëshortja e këtij të fundit, Eris Cani, si dhe bashkëshorti amerikan i Floridës, Ian Alexander Kirkpatrick.
Tre të arrestuarit pritet të dalin përpara gjykatës, ku do të shqyrtohet masa e sigurisë ndaj tyre. Ata përballen me akuza të rënda, përfshirë zjarrvënie, shkaktim të një shpërthimi me pasoja fatale dhe vrasje me dashje.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e secilit prej të dyshuarve.