TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një 24-vjeçar shqiptar, Pandeli Dervishi, është dënuar me 7 vite e 6 muaj burg në Britaninë e Madhe, pasi u shpall fajtor për përdhunimin e një vajze 17-vjeçare në ambientet e tualetit të një pub-i në Leicester. Pas ngjarjes, shqiptari tentoi t’i shmangej drejtësisë duke u larguar nga zona, por u lokalizua dhe u arrestua në Surrey, pasi u kap duke kaluar me automjet me semafor të kuq.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Leicestershire, të publikuar më 29 tetor, ngjarja ndodhi në mbrëmjen e 1 tetorit 2025, brenda tualeteve të një pub-i në zonën The Newarke, në Leicester.
Gjatë incidentit, Dervishi e kishte detyruar vajzën, atëherë 17 vjeçe, të kryente marrëdhënie seksuale orale. Një person i pranishëm në lokal e kishte dëgjuar të miturën duke kërkuar ndihmë dhe kishte njoftuar policinë, e cila mbërriti në vendngjarje dhe arrestoi shqiptarin po atë natë.
Megjithatë, pas hetimeve fillestare, Dervishi u la në gjendje të lirë me kusht, ndërsa detektivët vijuan mbledhjen dhe shqyrtimin e provave. Hetuesit analizuan pamjet e kamerave të sigurisë, provat mjeko-ligjore dhe materialet digjitale që mund të ndihmonin në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Pas përfundimit të hetimeve nga detektivi Jon Williams dhe referimit të çështjes te Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës (CPS), në shkurt të vitit 2026, Dervishi u akuzua zyrtarisht për një vepër penale të përdhunimit.
U arratis për dy muaj, gjurmët telefonike dhe financiare zbuluan vendndodhjen e tij
Pas akuzës, shqiptari nuk iu përgjigj thirrjes për t’u paraqitur në komisariatin e caktuar, duke u shpallur person në kërkim në sistemin kombëtar të policisë britanike.
Për rreth dy muaj, autoritetet zhvilluan kërkime për lokalizimin e tij, pasi ai ishte larguar nga zona e Leicestershire.
Në fund të marsit 2026, hetuesit shqyrtuan të dhënat telefonike dhe informacionet financiare të Dervishit, të cilat ndihmuan në përcaktimin se ai mund të ndodhej në zonën e Guildford, në Surrey.
Në orët e para të 16 prillit, vendndodhja e tij u zbulua në rrethana të papritura. Një efektiv i Policisë së Surrey e pikasi teksa drejtonte një automjet tip “Mazda”, me ngjyrë të bardhë, në rrugën A320 Woking Road, ku kishte kaluar me semafor të kuq.
Sipas policisë, Dervishi fillimisht tentoi të largohej me automjet, por efektivët arritën ta ndalonin. Pas verifikimit të identitetit, u konstatua se ai kërkohej nga Policia e Leicestershire për çështjen e përdhunimit dhe u arrestua.
Përveç akuzës për përdhunim, shqiptari u përball edhe me akuza për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Ai pranoi fajësinë në Gjykatën e Magjistraturës në Surrey për mosndalim të automjetit, drejtim pa leje drejtimi dhe pa siguracion.
Hetuesi: Tentoi t’i shmangej drejtësisë, viktima jetoi në pasiguri
Detektivi Jon Williams, i cili drejtoi hetimet, deklaroi se Dervishi kishte tentuar qëllimisht t’i shmangej policisë duke u larguar nga zona e Leicestershire dhe duke mos iu përgjigjur thirrjes për t’u paraqitur në komisariat.
“Pas kryerjes së një vepre të tmerrshme ndaj një të reje, Dervishi u përpoq qëllimisht t’i shmangej policisë duke u larguar nga zona e Leicestershire dhe duke mos iu përgjigjur thirrjes për t’u paraqitur në komisariat”, deklaroi Williams.
Ai shpjegoi se hetuesit kishin arritur të identifikonin zonën ku ndodhej shqiptari, ndërsa ishte mënyra e drejtimit të automjetit që tërhoqi vëmendjen e një efektivi të policisë dhe çoi në arrestimin e tij.
Williams theksoi gjithashtu se gjatë kohës që Dervishi ishte në arrati, viktima kishte përjetuar pasiguri të madhe, duke pasur frikën se personi përgjegjës për sulmin ndaj saj mund të mos përballej kurrë me drejtësinë.
“Jam i kënaqur që, pas vendimit fajësues dhe dënimit të sotëm, kjo çështje më në fund ka marrë fund. Shpresoj që rezultati t’i japë viktimës njëfarë ngushëllimi dhe ta ndihmojë të vazhdojë jetën, duke e ditur se Dervishi është mbajtur përgjegjës për veprimet e tij”, u shpreh detektivi.
Ai falënderoi gjithashtu efektivin Chris Hale të Policisë së Surrey, duke vlerësuar vigjilencën dhe reagimin e shpejtë të tij, që ndihmuan në arrestimin e shqiptarit dhe vënien e tij përpara drejtësisë.
Policia: Po punojmë për të parandaluar sjelljet grabitqare në jetën e natës
Për rastin reagoi edhe rreshterja Steph Burnham, zëvendëskomandante e Njësisë së Policimit në Zonën Qendrore të Leicesterit.
Ajo deklaroi se policia po ndërmerr masa për ta bërë qendrën e qytetit më të sigurt dhe për të identifikuar personat që shfaqin sjellje grabitqare, me qëllim parandalimin e rasteve të ngjashme.
Sipas saj, një prej nismave të ndërmarra është edhe “Project Vigilant”, një projekt që bashkon policinë, bizneset dhe partnerët e komunitetit për të identifikuar dhe parandaluar sjelljet e rrezikshme ndaj personave, veçanërisht në zonat e frekuentuara gjatë jetës së natës.
Vendimi për dënimin e Pandeli Dervishit me 7 vite e 6 muaj burg u dha të enjten, më 29 tetor 2026, nga Gjykata e Kurorës në Leicester, pas shpalljes fajtor në përfundim të gjyqit të zhvilluar në fillim të këtij muaji.