AKTUALITET, 20 Janar 2018, 09:37

Marrëveshja për detin, Rama-Tsipras takim në prill

Marrëveshja për detin, Rama-Tsipras takim në prill

Nisi dje, në Korçë raundi i dytë i bisedimeve mes dy ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe të Greqisë, përkatësisht Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias. Koztias mbërriti dje, nën masa të rrepta sigurie, por u prit edhe me lule në qytetin shqiptar. Hoteli “Life Galery” ku nisën bisedimet dhe ku u vendos delegacioni grek, gjithashtu, ruhet me masa të forta.

Bisedimet kanë nisur dhe do të zhvillohen deri në fund pa praninë e mediave, duke ruajtur formatin e takimit të parë të Kretës, mes dy ministrave dhe vetëm në fund, pra ditën e diel ata do të dalin me një deklaratë. Sipas axhendës së cituar nga Report TV, mësohet se kryeministri Tsipras i ka kërkuar Kotzias që të kthehet nga Korça me një marrëveshje të dakordësuar gati për t’u firmosur në muajin prill në takimin që pritet të zhvillojë me kryeministrin Edi Rama.

Takimi dje, nisi rreth orës 15:00 në qytetin e Korçës dhe do të diskutohen çështje, të cilat tashmë janë të njohura për të gjithë qytetarët e dy shteteve. Mësohet se dje, gjatë pasdites është diskutuar në lidhje me pretendimet shqiptare për çështjet që ajo mendon se kërkon një përgjigje nga pala greke, siç janë ato për pronat e kishës ortodokse dhe statusi i tyre aktual.

Gjatë ditës së sotme, në tryezën e bisedimeve do të jenë problematikat e listuara nga komuniteti grek që jeton në jug të vendit.

Po ashtu gjatë ditës së sotme, pala shqiptare do të kërkojë heqjen e pengesave për lëvizjen në kufi të çamëve drejt Greqisë. Kryeministri grek ka kërkuar që deri në muajin prill të mund realizohet firmosja e marrëveshjes për shelfin kontinental që njihet si kufiri detar mes dy shteteve.

Ndërkohë, para takimit të Korçës dhe pas atij të Kretës, tonet mes palëve janë ulur, veçanërisht këto janë dukur në qëndrimet e mbajtura nga Kotzias, i cili sa i takon ligjit të luftës ka thënë se ky nuk është një problem me Shqipërinë. Ndërsa qeveria shqiptare e dha sinjalin e saj që me miratimin në një nga mbledhjet e qeverisë të vendit, ku do të ndërtohen varrezat e ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës.

Në prag të takimit, dy homologët Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias janë shprehur optimistë për marrëveshje në fund të këtij procesi bisedimesh me dy shteteve. Në përfundim të takimit të parë, në Kretë, dy ministrat hartuan një deklaratë, ku theksohej: “Gjatë bisedimeve që u realizuan në një mjedis miqësor dhe konstruktiv, u bë një punë esenciale. Të dy palët pranuan rëndësinë që ka dialogu për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull dhe ranë dakord për hapa të mëtejshëm që duhet të realizohen me qëllim që të arrihen rezultate pozitive mbi bazën e vlerave dhe rregullave europiane dhe në dobi të të dy vendeve dhe popujve të tyre”.