TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
“Mbrojtja e emigranteve dhe sidomos komunitetit shqiptar është prioritet i qeverisë greke”.
Kështu u shpreh Ministri i Brendshëm grek Panagiotis Skouletis, gjatë takimit me Ministrin e Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko në Athinë.
Ndërsa e vlerësoi qeverinë greke për dashamirësinë e treguar ndaj të huajve, e kryesisht shqiptarëve, Majko e vuri theksin tek ripërtëritja e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ministri i Shtetit për Diasporën përmendi takimet e fundit mes Ministrave të Jashtëm dhe Kryeministrave grekë e shqiptarë, që siç tha, përcollën mesazhe shumë te qarta për lidhjet dypalëshe.
‘Të dyja shtetet kanë një të ardhme të përbashkët’-ishin fjalët e Majko. Ministri i Shtetit për Diasporën kërkoi më shumë vëmendje ndaj temave të thjeshta, të tilla si mësimi i gjuhës shqipe. Lidhur me këtë çështje, Ministri i Brendshëm grek pohoi se ruajtja e gjuhës është shumë e rëndësishme.
Ministria e Brendshme greke ka krijuar një pozicion te ri, Sekretari i Posaçëm për çështjet e nënshtetësisë, i cili gjatë takimit u kujdes të siguronte Ministrinë se po punojnë për lehtësimin e procedurave për integrimin e fëmijëve në shoqërinë greke.
Ministri i Brendshëm grek u shpreh gjithashtu se Shqipëria do të ketë mbështetjen e plotë të Greqisë në përpjekjen për tu integruar ne BE.
Problematikat e komunitetit shqiptar në Greqi ishte në fokus të bisedimeve mes Ministrit të Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko dhe Avokatit të Popullit në Greqi Andreas I. Pottakis. Avokati i Popullit e njohu Ministrin Majko lidhur me vështirësitë me të cilat përballen shqiptarët që jetojnë atje. Pottakis bëri të ditur se qindra shqiptarë i drejtohen çdo vit zyrës së tij, kryesisht lidhur me çështjet e pensioneve dhe sigurimeve. Nga ana e tij Majko u ofrua të ndihmojë për krijimin e lehtësirave për shqiptarët atje dhe kërkoi krijimin e praktikave mbështetëse pranë Avokatit të Popullit, për studentët që studiojnë në Greqi. Ministri i Shtetit për Diasporën kërkoi që emigrantët shqiptarë të vazhdojnë të trajtohen me prioritet, pasi siç u shpreh, baza e marrëdhënieve mes dy vendeve janë ato njerëzore./TPZ.AL