AKTUALITET, 6 Mars 2018, 08:22

Kuvendi ngre komisionin, hetimi i Tahirit në dorë të Palokës

Kuvendi ngre komisionin, hetimi i Tahirit në dorë të Palokës

Mazhoranca dhe opozita pavarësisht debateve të shumta, dje ranë dakord për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shtetërore për kultivimin e lëndëve narkotike, përfshi këtu rastin për të cilin prokuroria po heton, ish-ministrin e Brendshëm, Tahiri. Parlamenti miratoi mbrëmë nen për nen ligjin për vetingun e policisë i cili përçau opozitën. LSI bashkoi votat me PS-në, ndërsa PD abstenoi. Ky ligj u miratua me 88 vota pro, 1 kundër dhe 33 abstenime. Në seancën e mbrëmshme kuvendi e miratoi mbrëmë me 121 voto pro ngritjen e këtij komisioni. Kryetari i komisionit do të jetë demokrati Paloka. Anëtarët e tjerë do të jenë Enkelejd Alibeaj, Myslym Murrizi dhe Flamur Noka. Nga radhët e shumicës, e cila do të ketë edhe mazhorancën në këtë komision, është përcaktuar vetëm nënkryetarja, që do të jetë Ermonela Felaj.

Objekti i komisionit do të jetë verifikimi i çdo lloj dyshimi për ndikim të pali-gjshëm në ushtrimin e ndjekjes penale në mënyrë të pavarur nga organet kompetente të ngarkuara me ligj, në hetimin penal të këtij rasti. Komisioni do të jetë i përbërë nga 11 deputetë dhe do ta ushtrojë veprimtarinë e tij për një afat 6-mujor nga hyrja në fuqi e vendimit për ngritjen e tij. Seanca e djeshme maratonë u shoqërua me debate të shumta mes deputetëve të pozitës dhe opozitës.

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka publikuar disa dokumente ku tregojnë ekstradimin e shtetasit Nazer Seiti, i cilësuar si financieri i grupit kriminal “Habilaj”. Gjatë fjalës së tij, Salianji ngre akuza se Nazer Seitaj është “degdisur dhe kanë bërë rrëmbim personi vetëm sepse kishte lidhje me Saimir Tahirin”. Më tej, deputeti i PD tregoi dy dokumente në të cilat tregohet se për Nazer Seitaj ka pasur i formacion të plotë ministria dhe ministrja e Drejtësisë. “Për vendimin e datës 27.10.2017 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Drejtoria e Burgjeve i çon shkresë normale drejtorisë “Jordan Misja” për të vazhduar një procedurë, që me të drejtë është procedurë ligjore dhe për këtë rast ka zbatuar ligjin Ministria e Drejtësisë, sepse ka marrë informacion se për këtë shtetas ka pasur një vendim tjetër për dënim, për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda”, u shpreh Salianji.

Deputeti i PD bëri publik një tjetër dokument, ku tregohet vendimi tjetër i po të njëjtit institucion, duke shtuar se për të njëjtën procedurë institucionet funksionojnë me dy standarde. Sipas Salianjit, në të parën zbatojnë ligjin, në të dytën sapo riskohen për të dalë emrat e drejtuesve të institucioneve që janë përfshirë në trafikun e drogës, ndjekin procedurë sekrete dhe nuk njoftojnë askënd. Deputeti i PD nuk la pa përmendur edhe vëllain e kryeministrit për të cilin u shpreh se “si ka mundësi që vëllai i kryeministrit rri gjithë kohën me persona me precedentë penalë, të kërkuar për trafik droge apo të përfshirë në afera kriminale. Çfarë e lidh me këta persona nga Shkodra në Elbasan, nga Vlora në Tiranë”?