TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një letre të bërë publike në Facebook-un e tij, shfaq gatishmërinë për një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
"Gjatë muajve, javëve dhe ditëve të fundit, LDK-ja ka punuar shumë dhe hapur, për të arritur një marrëvveshje bashkëpunimi me VV-në, me qëllim që të lidhim koalicion parazgjedhor dhe për të garuar së bashku më 6 tetor", shprehet Mustafa në letrën e tij.
Por ish kryeministri i Kosovës ka një kusht, që vështirë të pranohet nga VV-ja: kandidate e përbashkët për kryeministre të jetë Vjosa Osmani, kandidate e LDK.
"LDK-ja është e hapur që marrëveshja të lidhet, nën drejtimin e kandidites sonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani", shkruan ndër të tjera Mustafa në letrën e tij.
Letra e plotë e Isa Mustafës:
Letër drejtuar Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Z. Albin Kurti
I nderuari Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti
Gjatë muajve, javëve dhe ditëve të fundit, LDK-ja ka punuar shumë dhe hapur, për të arritur një marrëvveshje bashkëpunimi me VV-në, me qëllim që të lidhim koalicion parazgjedhor dhe për të garuar së bashku më 6 tetor.
LDK-ja me kohë e ka bërë të ditur se njeh dhe e vlerëson pritshmërinë e qyetarëve të Kosovës për këtë bashkëpunim.
LDK-ja është e hapur që marrëveshja të lidhet, nën drejtimin e kandidites sonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani.
Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e ka miratuar unanimisht kandidaturën e znj. Osmani, prandaj ajo e ka përkrahjen e plotë të LDK-së për të kryesuar listën si kandidate për kryeministre dhe për të fituar zgjedhjet.
LDK-ja është subjekti më i madh politik në Kosovë, ka besimin më të madh, ka përkrahjen më të madhe, prandaj edhe do ta udheheqë vendin.
Propozimi juaj shpie, nga gara me të tjerët, në garë ndëmjet nesh, ndërsa kjo do të dëmtonte seriozisht interesin e përbashkët.
Po ashtu, LDK-ja vlerëson se një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa krye dhe pa orientim të qartë.
LDK-ja shpreh gatishmërinë e plotë që të vijojë bashkëpunimin me VV-në, tani apo dhe pas zgjedhjeve dhe e konsideron atë si partner në kauzën për të shpëtuar vendin nga krimi, korrupsioni, zhvatja dhe për ta nxjerë vendin nga izolimi.
Me respekt, Isa Mustafa
***
Në një postim në Facebook, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka kthyer përgjigje kreut të LDK, Isa Mustafa.
Ai e fton Mustafën të dalin bashkë në zgjedhje, ndërsa kryeministrin le ta vendosë vota.
“Me këtë rast ne shprehim gatishmëri për një koncesion të madh: në listën zgjedhore nr.1 të jetë znj.Vjosa Osmani, kurse nr.2 kandidati ynë të cilin e vendos Këshilli ynë i Përgjithshëm (e të cilin për hir të korrektësisë ndaj bisedimeve tona ne ende nuk e kemi mbajtur). Numri 1 në listën garuese është bartës liste kurse numri 2 është përfaqësues i koalicionit”, shkruan Kurti.