AKTUALITET, 30 Gusht 2019, 17:19

Historia e patreguar e vëllezërve Petrela, pse i dekoroi sot Meta

Me propozim të AIDSSH-së në kuadër të 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, presidenti Ilir Meta dekoroi sot me tituj nderi “Për merita të veçanta civile” katër vëllezërit Petrela dhe zotin Shqipjon Topulli (pas vdekjes). Po cila është historia e rrallë e patreguar e jetimëve Bujar, Ylber, Halil dhe Seit Petrela që i mbijetuan një kalvari të gjatë vuajtjesh në komunizëm. Si i humbën prindërit e tyre brenda një nate dhe si arritën të gjejnë varrin e fshehur nga komunistët, për t’i rivarrosur me dinjitet. Në rrugën e jetës ata patën fatin që takuan njerëz me humanizëm të rrallë që vunë veten në rrezik për t’i ndihmuar që t’i gjenin e më pas t’i ruanin në fshehtësi eshtrat e prindërve të tyre.

Kronologjia e ngjarjes

Natën e 16 janarit të vitit 1949, familjes Petrela i erdhi njoftimi i internimit dhe iu kërkua të dilte nga shtëpia, duke lënë pas gjithçka, për t’u nisur drejt së panjohurës.

Fadili, i biri i Selman Petrelës, i arrestuar më 4 dhjetor 1944, si “simpatizant i Legalitetit dhe propagandues kundër lëvizjes nacionalçlirimtare”, – i sapodalë nga burgu ku ishte dënuar me 2 vjet heqje lirie,  me vendimin nr. 402, më 19 gusht 1946, si armik i popullit nga Gjykata Ushtarake Tiranë, – bashkë me të ëmën, Alien, motrën 24-vjeçare, Kajen, të shoqen, Xhumën, e bija e Abaz Kupit dhe 4 djemtë e mitur, më i madhi, Bujari, 11 vjeç dhe më i vogli, Seiti, 1 vjeç, dolën nga dera e madhe e Petrelëve të Tiranës, sot rruga “Karl Gega”, dhe pritën jashtë urdhrin e radhës, në të ftohtin e acartë, diku pranë Selvisë.

Ndërkohë, Selman Agë Petrela, i ati, jetonte në ilegalitet të plotë brenda vendit, i fshehur në male, nga viti 1944, deri në dhjetor të vitit 1951, kohë kur aksidentalisht u dogj i gjallë.

Mëngjesin e datës 17 janar 1949, familja hipi në kamionin e Ministrisë së Brendshme dhe ndaloi në Berat. Të internuar nga i gjithë vendi u mblodhën në kalanë e Beratit, ku qëndruan disa muaj.

Më 13 maj 1949, dhjetëra kamionë të ushtrisë (referuar dëshmisë së Lek Pervizit) u nisën drejt Tepelenës, të intenuar në kampin nr. 6, me tela me gjemba.

Në kthesën pranë fshatit Buz, pa arritur në Tepelenë, në të gdhirë të datës 14 maj, njëri nga kamionët u përmbys dhe çifti Fadil e Xhuma Petrela humbi jetën. Me rrëzimin e kamionit dhe shpërndarjen e të internuarve në shpatin e malit, ushtarët kërkuan njerëzit me radhë. Fëmijët e familjes Petrela shpëtuan mrekullisht, gjyshja kishte probleme serioze në shtyllën kurrizore, kurse Seiti, më i vogli i djemve, u gjend i gjallë mes ferrave, e ëma e kishte lëshuar kur makina po gremisej, që të mos e mbyste me peshën e vet. 26 të tjerë ishin dëmtuar rëndë.

Natën e kobshme të aksidentit, varret e tyre u hapën me mjete rrethanore, sipas Seit Petrelës, që rrëfen atë që dëshmuan vëllezërit e tij më të rritur dhe Vera Dema, “varret u hapën me kapakë tenxheresh” dhe dy kryefamiljarët u lanë atje, buzë rrugës, ndërkohë që kamioni vijoi rrugën për në Tepelenë, për të dorëzuar në kamp 4 jetimët, në kujdesin e hallë Kajes, 24 vjeçe, e traumatizuar nga tragjedia, dhe në Gjirokastër gjyshe Alien, të dëmtuar rëndë në shtyllën kurrizore.

Për të gjithë ata që kanë qenë të internuar në kampin e Tepelenës, 4 djemtë jetimë që qëndronin pranë e pranë dhe kujdeseshin për më të voglin, Seitin 1 vjeç, pranë hallës që kaloi krizë nervore e më pas, gjyshes së gjymtuar që u soll në internim, janë të paharrueshëm.

Fëmijët qëndruan për pak javë në kamp, derisa erdhi urdhri i lirimit nga internimi.

Mes të internuarve adoleshentë që komanda e kampit kishte vënë për të hapur varret e fëmijëve që këputeshin ditë pas dite nga kushtet tejet të rënda të jetesës, i ndjeri Xhevdet Kaloshi rrëfente se çdo ditë i lutej Zotit që të mos hapte varrin e jetimit. Seiti njëvjeçar i mbijetoi mrekullisht kampit, siç i mbijetoi aksidentit dhe bashkë me vëllezërit, gjyshen e hallën u kthye në Tiranë, në qershor të vitit 1949.

Dukej se internimi kishte marrë fund, por kalvari i “armiqve të popullit” sapo kishte nisur, tashmë në kryeqytet. Kthimi në qytetin e lindjes i përballi me pamundësinë e qëndrimit në shtëpinë që lanë pas, e cila u ishte dhënë të panjohurve, dhe sendet personale ishin hedhur në rrugë. Familja Petrela, një zonjë e moshuar, një vajzë 24 vjeçe dhe katër jetimë 1-11 vjeç u vendosën të gjithë bashkë në shtëpinë e xhaxhait të Fadil Petrelës, Gani Petrela, i cili u hapi dyert “të internuarve” në Tiranë. Vetë Ganiu u dënua me burg në vitin 1951 për moskallëzim të vëllait, i cili fshihej në male, që në 1944. Ai doli nga burgu në vitin 1962 dhe vdiq pas një muaji, nga sëmundja e rëndë.

Vëllezërit Petrela dëshmojnë se jetuan atje për shumë vjet, 13 veta në një dhomë, nga viti 1949 deri në 1963, ku ndihmoheshin nga të afërm, te të cilët mund të jetonin përkohësisht. Gjatë këtyre viteve djemtë u rritën, shkuan në shkollë, filluan punë në moshë të re dhe mësuan të jetojnë me damkën e “armikut të klasës”, si ish-të internuar në Tepelenë, si bijtë e një ish-të dënuari politik, si nipat e Abaz Kupit, si nipat e Selman Agë Petrelës të djegur të gjallë në mal, gjatë rezistencës disavjeçare ndaj komunistëve…

Në vitin 1963, në shtëpinë e tyre pranë ish-stacionit të trenit, u lirua një dhomë. Ata shfrytëzuan momentin të vendoseshin atje të katërt e kësisoj, të jetonin në shtëpinë e tyre. Atje vijuan punën, të pandarë, atje mbështetën njëri-tjetrin, atje u martua dhe jetoi vëllai i madh, Bujari me të shoqen, pranë tre vëllezërve të tjerë, që “sajoheshin” në korridor.

Një mbrëmje të vitit 1975, një fshatar i panjohur trokiti në derën e vëllezërve Petrela. Nuk u prezantua, nuk e tregoi mirë fytyrën, por kërkoi të sigurohej që po fliste me jetimët e çiftit Petrela. Kryefamiljar në përgjegjësinë që i ngarkoi fati që në moshën 11-vjeçare, Bujar Petrela foli me të panjohurin nga jugu që i erdhi në derë, pasi e kishte kërkuar me durim në të gjithë Tiranën. Ai i kërkoi të vinte e të tërhiqte trupat e prindërve të varrosur buzë rruge, meqë vendi po shpyllëzohej e do të hapeshin toka të reja. Fshatari i paemër nuk guxoi të tregonte se si quhej, as nga vinte, por si dëshmitar i natës së kobshme të aksidentit nuk e zinte vendi, mori rrugën nga fshati i tij dhe kërkoi pa bujë nëpër Tiranë “jetimët e Buzit”, vëllezërit që tashmë ishin rritur, për të kryer veprimin më të lartë human edhe ndaj të panjohurve, respektin e të vdekurve, që ata të preheshin denjësisht, që fëmijëve të mos u mohohej e drejta për të ditur ku i kishin prindërit e të mund t’i nderonin.

Fshatari çoi në vend amanetin e vet dhe u largua mes errësirës. Ky njeri i thjeshtë, pa emër, pa fytyrë, i papërcaktuar edhe sot, por me dinjitet, me zemër, me moral, me nder, është shembulli më i pastër i humanizmit, dinjitetit njerëzor, solidaritetit të heshtur dhe veprues, i cili i bëri bashkë njerëzit në diktaturë, duke e përballur çnjerëzimin me sjellje dinjitoze.

Ky fshatar i paemër është lakuar pafundësisht në dëshmitë e vëllezërve Petrela, është njeriu tek i cili ata shpalosin mirënjohjen e thellë për atë që pasoi, është shpresa se njeriu mund të jetë i tillë edhe në situata dhune, presioni e çnjerëzimi, me rezistencën e tij pa bujë, por për këtë arsye, madhështore.

Pa i ekspozuar ndaj rrezikut vëllezërit e tjerë, Bujari, më i madhi, tashmë 37 vjeç, u lidh me një mik të besuar, Klito Bejlerin, me makinën e të cilit vendosi të shkonte rrugës për Tepelenë e të zhvarroste prindërit, në fshehtësi të plotë e rrezik të hapur.

Bujari kishte qenë edhe më herët te vendvarrimi i prindërve, pasi ishte munduar të fiksonte çdo detaj të vendit ku ata u mbuluan nga rojat e karvanit që i shoqëronte në kampin e Tepelenës. 11-vjeçari i burrëruar para kohe, me ndihmën e mikut Klito Bejleri, u rikthye pranë prindërve, për t’i zhvarrosur dhe për t’i kthyer në Tiranë. Eshtrat e çiftit Petrela u futën në një thes dhe u sollën në Tiranë, në fshehtësi të plotë. Tashmë, edhe vëllezërit e tjerët u vunë në dijeni të zhvendosjes së prindërve nga Buzi i Tepelenës dhe bashkërisht ndërmorën veprimet e mëtejme.

Një tjetër mik i besuar i familjes, Shqipjon Topulli, u doli në krah. Shqipjoni, nipi i Subi Topullit, i mori në shtëpi eshtrat e çiftit Petrela, në pritje që vëllezërit të organizonin varrimin, pa rënë në sy, por duke vënë veten në rrezik.

Ndërkohë, Tonin Gurakuqi, teknik ndërtimi, punonjës në varrezat e Tufinës, mori përsipër t’i ndihmonte vëllezërit Petrela për varrimin e prindërve. Ata i tërhoqën eshtrat nga shtëpia e Shqipjonit dhe arritën t’i varrosnin, në anonimitet të plotë në Tufinë, duke u vënë sipër një pllakë varri pa asnjë shënim, për të pasur mundësi identifikimi. Po me këshillën e tij, pas disa vitesh vëllezërit i vunë emrat e prindërve në pllakën e gurtë, sërish pa rënë në sy, duke përmbushur kësisoj misionin e prehjes njerëzisht të prindërve të pafajshëm që iu ndërpre jeta në mes dhe thuajse finalizuar një pakt heshtjeje, nderi e burrërie të të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë histori.

Në vitin 1993, pas rënies së regjimit komunist, Seit Petrela, më i vogli i vëllezërve, hapi gjyq në Gjykatën e Rrethit Tiranë, për verifikimin e shkakut të vdekjes së prindërve dhe zyrtarizim të saj. Vendimi  nr. 3991 i gjyqit të datës 25.10.1993, që vërtetoi faktin juridik të vdekjes aksidentale të prindërve, Fadil dhe Xhuma Petrela, e mbylli zyrtarisht përpjekjen shumëvjeçare të djemve të internuar në dhjetëvjeçarin e parë të jetës, të sprovuar në rini e më pas me sfida të qëndresës, rezistencës, ndershmërisë, në përpjekje shumëvjeçare për të çuar deri në fund të drejtën e të pafajshmëve për t’u prehur denjësisht e njerëzisht.

Asnjëri prej njerëzve të përfshirë në këtë histori, i cili ka vënë veten në rrezik në një kohë të vështirë, mes mosbesimit e survejimit, nuk ka menduar se një ditë, veprimet e tij do të vlerësohen me tituj nderi. Edhe sot, madhështia e veprimeve të secilit prej personaliteteve njerëzore të sipërpërmendura qëndron në faktin që ata nuk duan të marrë bujë veprimi i tyre i thjeshtë, human e dinjitoz. Asnjëri prej tyre nuk kërkon protagonizëm, disa kanë ndërruar jetë, në paqe për reagimin njerëzor ndaj miqve e atyre që u kërkuan mbështetje. Fshatari që mori rrugën në vitin 1975 nga Buzi i Tepelenës, për të kërkuar në Tiranë jetimët Petrela e për të çuar në vend një thirrje a kumt të përtejdheut, vazhdon të jetë i paidentifikuar, pavarësisht përpjekjeve të familjes Petrela në vite për ta gjetur e falënderuar.

Vetë vëllezërit Petrela, ata që e dëshmojnë këtë histori, duke lartësuar sjelljet njerëzore të të njohurve e të panjohurve në këtë rrugëtim drejt të qenët thellësisht human, ruajnë një profil të ulët publik, pa kërkuar të bien në sy, pa dashur të vihen në fokus, duke vijuar me thjeshtësi e fisnikëri jetën me familjet e tyre që përballuan jo pak vështirësi e sfida përballë shfytyrimit e depersonalizimit.

Fadil dhe Xhuma Petrela, fisnikët tiranas që humbën jetën rrugës për internim në Tepelenë dhe në përpjekjen e fundit shpëtuan fëmijët nga vdekja, sot prehen denjësisht në Tufinë, me varre të rregulluara nga djemtë dhe nuset e tyre, heroina të heshtura të viteve të shtypjes, njerëz kryelartë për qëndrimet e tyre në vitet e shkuara në diktaturë, duke nderuar emrin e familjes dhe prindërve të pafajshëm.