AKTUALITET, 23 September 2026, 20:24

Arrestohet në Rusi Salvadore Aliu, një nga personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare

Salvadore, alias Shpëtim Aliu, një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe i konsideruar nga SPAK si një prej figurave kyçe të një rrjeti të fuqishëm të trafikut ndërkombëtar të kokainës, është arrestuar në Rusi.

Autoritetet shqiptare janë vënë në dijeni të ndalimit të Aliut dhe pritet nisja e procedurave nga Ministria e Drejtësisë për ekstradimin e tij.

Policia ka njoftuar detaje nga arrestimi i Aliut në Rusi.
 
Blutë njoftojnë se si rezultat i bashkëpunimit informativ dhe operacional ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Moskës dhe Interpol Romës, gjatë këtyre dy fazave të operacionit të koduar “The Wanted”, u arrestuan provizorisht, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasit e kërkuar ndërkombëtarisht:

-S. A., 51 vjeç, i kapur në Rusi, të cilit, në muajin qershor, 2026, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

-Alok Mittra, 47 vjeç, i kapur në Itali, të cilin, në vitin 2024, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dënuar me 15 vjet burgim, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet rezultoi se 47-vjeçari ishte pjesë e një grupi kriminal, i cili për 6 muaj në vitet 2023-2024, organizoi kalimin e kundërligjshëm të kufirit, të rreth 253 shtetasve nga Bangladeshi, kundrejt përfitimeve financiare. Shtetasit e huaj silleshin në Shqipëri, nga Dubai, dhe nënshkruanin kontrata pune fiktive për t’u pajisur me leje qendrimi. Sapo pajiseshin me këtë dokument, ata niseshin drejt shteteve të BE-së. Gjatë itinerarit të kësaj veprimtarie kriminale, shtetasi Alok Mittra shoqëronte shtetasit e huaj dhe merrej me transportimin dhe akomodimin e tyre.

Në bashkëpunim me homologët në Moskë dhe në Romë, Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e të dy shtetasve, në Shqipëri.