AKTUALITET, 27 Shkurt 2018, 21:14

Ilir Meta refuzon për herë të dytë qeverinë, nuk jep autorizimin për ndarjen e kufirit detar

Ilir Meta refuzon për herë të dytë qeverinë, nuk jep


Presidenti Ilir Meta, në një intervistë televizive, ka pranuar se ka kthyer për herë të dytë, autorizimin për negociatat për ndarjen e kufirit detar  me Greqinë. Meta u shpreh se procesi vazhdon, por dokumentacioni i sjellë për herë të dytë nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka qenë sërish i paplotë dhe duhet rishikuar nga ana e ministrisë.

"Ka patur një reflektim nga ana e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, i cili përsëri në disa element është vlerësuar i domosdoshëm për tu plotësuar më tej dhe ky është një proces qe po vazhdon", u shpreh Meta.

Meta u shpreh se ai do të plotësojë të gjitha detyrat e tij kushtetuese.

"Presidenti do të bëjë gjithçka, për të përmbushur të gjitha detyrimet e tij kushtuese dhe institucionale për mbarëvajtjen e kësaj marrëveshje dhe mardhënieve me Greqinë."

Meta nuk bëri me dije se cila nga kërkesat konkrete të Presidentit nuk është plotësuar dhe çfarë informacioni mungon në dokumentat e paraqitura nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Presidenti Meta dhe refuzimi i tij për dhënien e plotëfuqisë, po kthehen në një problem serioz për mazhorancën, veçanërisht për kryeministrin Edi Rama, i cili duket se i ka siguruar grekët se marrëveshja do të mbyllet deri në muajin prill, në mënyrë që të firmoset gjatë vizitës zyrtare të kryeministrit grek Tsipras.

/TPZ.AL/