TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Salvatore, alias Shpëtim Aliu, i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare dhe i konsideruar nga Prokuroria e Posaçme si një prej figurave kyçe të trafikut ndërkombëtar të kokainës, është arrestuar ditën e sotme në Rusi.

Salvatore Aliu, ndaj të cilit është lëshuar një urdhërarrest nga SPAK, konsiderohet si kumbari i grupeve shqiptare të narkotrafikut. Ai dyshohet të ketë pastruar në Shqipëri të paktën 30 milionë euro të siguruara nga aktivitetet kriminale.
Figura kyçe, duket se ka qenë i vëllai, Isa Aliu, i cili ka zyrtarisht 4 kompani të ndryshme të përdorura për investime në blerje pasurish të paluajtshme, vila, apartamente, troje, apo dhe në ndërtime, edhe hotelesh në zona turistike të vendit.

Salvatore, ashtu si dhe drejtuesit e tjerë të grupeve kriminale, përdorte platformën SKY për komunikimet e tij, ku ai njihej me emra të ndryshëm si Dala, Qero, Qerosi, Viktor, apo Albo Pelon.
Nga zbardhja e këtyre komunikimeve, në një bisedë në gusht të vitit 2020 me vëllain Isa Aliu, ky i fundit e njofton se kishte në gjendje 6 milionë euro. Dy javë më pas, Salvatore njofton Isain se do të marrë edhe 20 milionë euro të tjera.
Në pritje që paratë të investohen për t’u pastruar, ai e udhëzon vëllanë se si t’i fshehë paratë, duke i sugjeruar, ndër të tjera, edhe futjen e tyre në fuçi 50-litërshe e më pas groposjen.
Hetimi që çoi në zbulimin dhe identifikimin e Salvatore Aliut ka nisur në maj të vitit 2020, pas një referimi nga policia. Ai dhe persona me lidhje familjare dyshohet të jenë përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Ekuadori drejt vendeve europiane.
Në rrjetin ku bënin pjesë edhe të huaj, Salvatore është identifikuar të ketë pasur rolin e drejtuesit, duke mbikëqyrur çdo hallkë të trafikut, që nga sigurimi i kokainës, te financimi i ngarkesave dhe furnizimi i grupeve të tjera.
Sipas hetimeve të SPAK, Aliu ishte figura qendrore që furnizonte me kokainë grupet e Shpëtim Gjikës, Eldi Dizdarit dhe Armando Pacanit, duke shërbyer si hallka furnitore në skemën e trafikimit.
Në njoftimin zyrtar të SPAK theksohet se, në zbatim të vendimeve gjyqësore, janë zhvilluar 23 kontrolle ndaj personave, banesave, zyrave të shoqërive tregtare dhe personave fizikë. Gjatë hetimeve janë mbledhur provat e nevojshme, prej të cilave janë provuar 5 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha.
Gjatë këtyre episodeve janë sekuestruar në total 8 ton e 960 kg lëndë narkotike e llojit kokainë.
Episodi 1 – 11 Maj 2020: Trafikimi i një sasie prej 700 kilogramë lëndë narkotike të llojit kokainë, e sekuestruar në portin e Waasland (Antverp), Belgjikë, e gjetur në një kontejner me pjesë këmbimi makinash, i shkarkuar nga një anije e ardhur nga Kina.
Episodi 2 – 6 Qershor 2020: Tentativa e trafikimit të një sasie prej 2010 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në Guayaquil, Ekuador. Lënda narkotike kishte si destinacion përfundimtar të saj Holandën dhe kishte të stampuar tre logo të ndryshme (Jaguar, Shqiponjë dhe BB).
Episodi 3 – 16 Gusht 2020: Trafikimi i një sasie prej 1100 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në Roterdam të Holandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.
Episodi 4 – 16 Dhjetor 2020: Trafikimi i një sasie prej 4.1 ton lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në portin e Roterdamit, Holandë. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.
Episodi 5 – 03 shkurt 2021: Tentativa e trafikimit të një sasie prej 1 ton e 50 kg lëndë narkotike kokainë, e sekuestruar në Kolumbi me destinacion final Francën.
Hetimet kanë treguar se përveç episodeve të mësipërme, anëtarët e grupit kriminal kanë trafikuar nga Amerika Latine në drejtim të vendeve të Europës dhjetëra tonelata të tjera kokainë, e cila është trafikuar dhe tregtuar te persona të tjerë.
Nga realizimi i kësaj veprimtarie janë siguruar të ardhura të konsiderueshme.