AKTUALITET, 1 Dhjetor 2018, 13:39

Kryemadhi: “Unaza e Re” një vjedhje e tmerrshme. Ky është fillimi i fundit të Edi Ramës

Kryemadhi: “Unaza e Re” një vjedhje e tmerrshme. Ky

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, gjatë një takimi me strukturat drejtuese të LRI, tha se në Unazën e Re po konsumohet një ngjarje e tmerrshme dhe një vjedhje e madhe e parave publike nga ana e qeverisë.

Kryemadhi tha gjithashtu se fatura e këtij abuzimi shkon në 48 milion euro, ndërsa kërkoi prezencën e të gjithë anëtareve të LRI-së për të qenë në mbështetje të banorëve protestues.

Duke folur po për këtë çështje, Kryemadhi tha se kjo ngjarje do të shënojë fillimin e fundit të Edi Ramës, jo si individ, por i Edi Ramës si një lider i keq që e mbolli Shqipërinë me drogë , që shkatërroi të ardhmen e të rinjve shqiptarë, që shkatërroi bizneset, që mbylli bizneset e shqiptarëve, që shkatërroi arsimin e të rinjve shqiptarë.

Deklarata e plotë e Monika Kryemadhit:

Sot ne na duhet të motivojmë të gjithë shoqërinë shqiptare për një situatë të tmerrshme që ka kapur Shqipërinë.

Ngjarja e Unazës së Re është një ngjarje që ju të gjithë e keni ndjekur dhe sot po bëhet gati një muaj që banorët e Unazës së Re kanë dalë në protestë.

Propaganda e qeverisë shfaqet në mënyrat nga më të ndryshmet e cila nga njëra anë thonë se për 300 shtëpi nuk do të bllokojmë infrastrukturën dhe në anën tjetër shikon banorë të revoltuar të cilëve u dhunohet prona.

Unë dua t’ju them diçka të cilën ju duhet ta shpërndani kudo që të jeni, ne nuk jemi kundër rrugës, nuk jemi kundër zhvillimit, madje përkundrazi e motivojmë dhe e stimulojmë atë, por ama jemi kundër arrogancës dhe papërgjegjshmërisë së shtetit që shkel me këmbë qytetarët e saj.

Jemi kundër vjedhjes prej 48 milion eurosh që bëhet prej 48 sepse ata kanë harruar edhe 20%-shin e TVSH-së. Pra, 40 milionë shkon rruga për ju studentët e ekonomikut plus 20% TVSH.

Janë edhe 8 milionë të tjera që do t`i shtohen faturës së rrugës, të cilat hidhen dhe janë dukshëm një vjedhje e jashtëzakonshme jo vetëm e buxhetit të shtetit, të taksave që paguajnë qytetarët shqiptarë me litarin në fyt që çdo ditë e më shumë i shtrëngohet, por është edhe vjedhje e pronave, e mundit dhe e djersës të atyre që banojnë në Unazë e Re.

Prandaj, arroganca e Edi Ramës dhe e grupit të tij kriminal duhet të jetë e kujdesshme sepse nganjëherë aty ku mendon që je më i fortë, je shumë më i dobët. Aty ku mendon që je i imponueshëm, je shumë i brishtë.

Dua t`ju them që të paktën LRI-ja e Tiranës, por edhe të gjithë ju drejtuesit nëpër qarqet e tjera, duhet të flisni çdo ditë.

LRI-a e Tiranës dhe miqtë e tyre duhet t’u bashkohet banorëve të Unazës së Re në protestën e tyre për t`ju thënë që ju nuk jeni vetëm, ne jemi me ju, ne do t`ju përkrahim.

Ky është vetëm fillimi i fundit të Edi Ramës.

Jo Edi Ramës si individ, por i Edi Ramës si një lider i keq që e mbolli Shqipërinë me drogë , që shkatërroi të ardhmen e të rinjve shqiptarë, që shkatërroi bizneset, që mbylli bizneset e shqiptarëve, që shkatërroi arsimin e të rinjve shqiptarë, që shkatërroi çdo gjë dhe çdo ëndërr të atyre 400 mijë të rinjve dhe të rejave që janë larguar dhe po largohen nga Shqipëria.