AKTUALITET, 24 Nëntor 2017, 20:28

Kokëdhima, pas kallzimit të Xhafajt: Qeveria e Ramës është ujku i vërtetë i drogës!

Kokëdhima, pas kallzimit të Xhafajt: Qeveria e Ramës

Kryetari i Partisë “ZGJIDHJA”, Koço Kokëdhima, e konsideroi urdhrin ei Ramës ndaj ministrit të Brendshëm për të denoncuar në prokurori ata që dekonspiruan aksionin e Policisë së Shtetit për arrestimin e tre ish-drejtorëve të policisë, si një veprim “qesharak, të turpshëm dhe të neveritshëm”.

Deklaratë për shtyp e ZGJIDHJA-s

Mëlçitë janë në qafë të ujkut, mos prisni të mbetet gjë për drejtësinë

Urdhëri i Ramës ndaj ministrit të Brendshëm për të denoncuar në prokurori ata që dekonspiruan aksionin e Policisë së Shtetit për arrestimin e tre ish-drejtorëve të policisë, është qesharak, i turpshëm dhe i neveritshëm. Edi Rama nuk mund të arrestojë ndonjë prej pjesëtarëve të kartelit të drogës, me të cilët ai vetë kanabizoi vendin në vitin 2016. Ai ishte arkitekti dhe presidenti i kësaj sipërmarrjeje që kriminalizoi tërë strukturat e shtetit dhe gjithë shoqërinë. Tahiri ishte CEO. Drejtorët dhe shefat e policisë së Shtetit ishtin bordi drejtues i kartelit të drogës. Vetëm policët e thjeshtë që u bënë kositës dhe hamenj të trafikantëve të kanabisit nuk kishin lidhje direkte me qeverinë. Tre policët që thuhet se tani ia kanë mbathur, janë vetëm një pjesë e vogël e kësaj piramide qeveritare të mafies së kanabisit, një hallkë e atij zinxhiri të gjatë komandues që urdhërohej nga selia e qeverisë. Luftën kundër kriminelëve të drogës nuk mund ta bëjë qeveria e drogës dhe arrestimin e drejtorëve të policisë nuk mund ta bëjë policia e drogës. Qeveria e Ramës është ujku i vërtetë i drogës! Ja pse mëlçitë janë në qafë të ujkut.

ZGJIDHJA ka kërkuar prej kohësh që Policia e Shtetit të spastrohet nga drejtuesit e kriminalizuar. Rama nuk do të çojë përpara drejtësisë as Tahirin dhe asnjë nga drejtorët e policisë që morën 30 përqindëshin e drogës në para të thata ose në natyrë. Të gjithë ata funksionarë të lartë policie që janë në listat e bashkëpunimit me krimin e organizuar do ikin, asnjë prej tyre nuk do të arestohet dot.

Vetëm ZGJIDHJA në pushtet do ta spastrojë përfundimisht qeverinë dhe Policinë e Shtetit nga kupola dhe elementët e lidhur me krimin e organizuar dhe do ta heqë ekonominë e kanabisit nga duart e krimit të organizuar, për ta bërë një ekonomi kombëtare të kontrolluar nga shteti dhe në të mirë të popullit shqiptar.

#ZgjidhjaPërQeverisjeTëPastër