AKTUALITET, 24 Nëntor 2019, 20:07

Kandidat për stolin e Tiranës, Memelli: Jam për emergjencë, Ahmataj të merret vetëm me fushën

Kandidat për stolin e Tiranës, Memelli: Jam për emergjencë,

Tirana është në ajër pas deklaratave të dhëna ditën e djeshme nga Julian Ahmataj. Megjithëse aktualisht është ende trajner në mënyrë zyrtare, Ahmataj pranoi ditën e djeshme se ka paraqitur dorëheqjen, duke shtuar se nuk mund të punohet në një ambient të tillë ku nuk e lënë të qetë dhe ka ndërhyrje të shumta.

Sakaq, pritet vetëm vendimi i Refik Halilit për të konfirmuar largimin e tij ose vazhdimin si trajner ndërkohë që kanë nisur edhe hipotezat për trajnerin e ri. Një nga kandidatët kryesorë për të vazhduar si trajner i Tiranës, është Migen Memelli i cili ka një rol te akademia bardheblu dhe kandidaturën e tij e ka pranuar në “Gol pas Goli”.

“Shpresoj që gjërat të sheshohen në klubin e Tiranës dhe të sheshohen gjërat me palën e tretë në klub. Unë jam kandidat si zgjedhje emergjence sepse punoj në klub por gjithsesi shpresoj që të rregullohen gjërat dhe të vazhdojë Ahmataj.

Ai është trajner dhe trajnerët janë në terren. Duhet të merret vetëm me futbollistët sepse ato ka përballë dhe jo me brendësinë e klubit. Ahmataj duhet të shohë vetëm çfarë ndodh në terrenin e stërvitjes”, tha Memelli.