AKTUALITET, 24 Nëntor 2019, 19:39

Program konference apo punë budallenjsh?!...

Nga Luan Rama

Program konference apo

punë budallenjsh?!...

Për të thonē se është një djalë shumë i zgjuar. Shumë i zgjuar dhe shumë i zoti. Shumë i zoti dhe shumë i talentuar. Shumë i talentuar dhe shumë punëtor.

Madje, të njejtët thonë se është edhe shumë gjeni!

Ndaj, askush nuk ka se përse të mos besojë.

Vetë kryeministri e ka prezantuar si të tillë; pra si shumë të zgjuar, shumë të zotin, shumë të talentuar, shumë punëtor dhe shumë gjeni.

E për të gjitha këto, edhe e ka emëruar ministër mëkëmbës në këmbë të tij, zëvendësministrin ministër të padekretuar!

Mirëpo, seç kanë dalë disa budallenjë, që me punë që mund ta bëjnë vetëm budallenjtë, duan të na e paraqesin edhe atë si veten e tyre.

Dhe kanë paralajmëruar një konferencë, që me gjasë do të mblidhet nesër, në programin e të cilës kanë parashikuar të flasë vetëm ai, herë si ShTZ ( pra shkëlqesia e tij zoti Gent Cakaj), e herë si zoti Gent Cakaj!

Të presim e të shohim se çfarë do të ndodhë nesër në konferencën mbarëkombëtare, që sipas programit të bërë nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, pritet të jetë recital i ministrit mëkëmbës Gent Cakaj.

Por ai nuk është budalla!

Ndaj, me siguri që nuk do të flasë vetëm ai, siç komentojnë budallenjtë që e duan si veten.

“Budallai gjithnjë gjen një budalla më të madh se veten, që të habitet me të”, -ka thënë poeti dhe kritiku francez, Nikola Bualo.