TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga rajoni në destinacione ekzotike, ja se si shqiptarët po e shndërrojnë në një traditë festimin e fundvitit jashtë trojeve tona. Mes alternativës së lirë të resorteve për ski, të mbrëmjeve gala në Ballkan; alternativës së mesme të paketave turistike 3-4-ditore në qytete europiane dhe alternativës së majme të vendeve ekzotike – të gjithë mund ta gjejnë veten sipas buxheteve respektive…
Që javën e fundit të nëntorit, agjencitë turistike në Tiranë tregojnë se shumë kanë telefonuar duke i pyetur: “Pse nuk i keni listuar ende paketat për festat e fundvitit” apo “Na thoni një ofertë të mirë”.
Kjo ndodhi ende pa “u ftohur” periudha e kërkesave për udhëtime për Festat e Nëntorit. Tani, në fillim të dhjetorit të 2017, tre nga këto agjenci tregojnë se, për destinacionet për Krishtlindje, vendet e prenotuara janë 86%, ndërsa për ato për Vitin e Ri, rreth 50%. Jo më në Shqipëri, ne festojmë jashtë dhe jemi me valixhe gati…
Rajoni, zgjedhja më e lirë
Thuajse në të gjitha festat që shqiptarët kërkojnë të lëvizin jashtë, alternativa e parë që i vjen në mendje është rajoni. Arsyeja është çmimi. Me një avantazh të tillë dhe me organizime të mira për festa, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia por edhe Serbia kanë marrë, jo pak, shqiptarë në mesin e tyre në pushimet e fundvitit. Agjencitë e shpjegojnë këtë fenomen me arsyen se afërsia është një faktor kyç, sidomos për familjet, që preferojnë këto destinacione.
Union Travel tregon për “Monitor” se çmimi i lirë i josh shqiptarët për festat e fundvitit, të cilët më së shumti në familje, preferojnë rajonin për darkën gala të Vitit të Ri, kryesisht në Budva apo Dubrovnik. Edhe Greqia mbetet pjesë e kërkesave, pohojnë agjencitë, mirëpo këtë vit kanë qenë më të dobëta.
“Destinacionet kryesore të Greqisë dihet që janë Meteora dhe Selaniku, që kryesisht i kërkojnë me autobus, mirëpo këtë vit kemi më pak interes, krahasuar me vende si Mali i Zi dhe Kroacia”, – pohojnë nga agjencia Kalemi Travel and Tours.
Ndërsa të gjithë pohojnë se Budva preferohet shumë për fundvit, agjencia Globus Travel tregon se, kur intereson për një destinacion të tillë, fillimisht pyesin: “Çfarë festë organizohet?” dhe më pas, për çmimin dhe hotelin. Sipas të gjithë agjencive të kontaktuara, çmimet në rajon variojnë në këto vlera dhe numër ditësh: Budva-Ulqin-Kotor, 24 dhjetor, 2 ditë, 45€; Dubrovnik 23 dhjetor, 3 ditë, € 79; Sarajevë – Mostar – Medjugorje 23 dhjetor, 3 ditë, € 99; Beograd 23 dhjetor, 3 ditë, € 109 etj
Krishtlindje dhe ski, pse jo
Mavrova, Kolashini dhe Brezovica janë tre destinacione, të cilat preferohen nga shqiptarët për festa.
Po tre janë edhe arsyet: duan të bëjnë ski, infrastruktura e të cilëve nuk gjendet në Shqipëri; e dyta është lirë, ofertat janë joshëse dhe e treta, janë afër dhe shpenzohet pak ditë. Nga Hima Travel tregojnë se kjo tendencë duket edhe këtë vit, pasi kërkesat janë të shumta, kryesisht nga të rinjtë.
Drejtuesit e Union Travel sakaq pohojnë për Monitor se Kolashini ka marrë më tepër vëmendje këtë vit, si çdo vit tjetër. Megjithatë, pohojnë ata, është ende herët për të dhënë një panoramë të qartë, prenotimet tani kanë nisur.
Nga agjencia Kalemi Tours tregojnë se ditët e fundit kërkesat dhe interesimet ndalën, siç duket shqiptarët u “frikësuan” nga shirat e shumta dhe rreziku i përmbytjeve dhe e shtynë në një moment më të sigurt planet për Vitin e Ri.
Ofertat turistike për destinacione për ski janë të tilla: Kolashin, 23 dhjetor, 3 ditë 180 € hotel me 4 yje dhe 210 € për hotel me 5 yje. Mavrovë, 23 dhjetor, 3 ditë, 130 € hotel me 4 yje, Brod – Kosovë, 23 dhjetor, 3 ditë, 110 €.
Budapesti, “mbreti” i rezervimeve
Jemi në fillim të dhjetorit dhe rezervimet kanë nisur. Agjencitë tregojnë se mungojnë shifrat e sakta për të kuptuar trendin e kërkesave, por ata theksojnë se telefonatat informuese për paketa të ndryshme janë të shumta çdo ditë. Rritja e kërkesave, sipas Union Travel, vjen për shkak të çmimeve më të favorshme të ofertave që po hidhen në treg. “Ka një mori zgjedhjesh, për buxhete të ndryshme”- tregojnë ata.
Ajo për të cilën të gjithë agjencitë e kontaktuara pohojnë është “shpallja” e Budapestit si destinacioni numër 1 i kërkuar për festat e fundvitit, sidomos për Krishtlindje. Union Travel tregon se kjo preferencë ka ardhur duke u ushqyer me kërkesa të pakta vitet e shkuara dhe këtë vit, është tejet i preferuar. “Kjo ndodh sepse Budapesti ka linjë direkte fluturimi dhe përveç kësaj, u ofron turistëve shumë atmosferë për festat e fundvitit”, – pohojnë nga Union Travel.
Paketat Turistike për Budapest janë thuajse njësoj në të gjitha agjencitë, për 4 ditë, 379 euro për person.
Nga Zenith Travel tregojnë se në festat e fundivitit, për destinacionet europiane preferohen udhëtime direkte, pa transit dhe jo me autobus. “Autobusi praktikohet vetëm për rajonin e afërt, qytetet europiane më të kërkuara janë ato me linja direkte. Ndonjëherë shihet çmimi i favorshëm, ndonjëherë shihen lehtësitë dhe çfarë ofrohet në tërësi. Ka zgjedhje për të gjithë”, – pohojnë ata.
Matias Travel and Tours tregon se të shumta janë edhe biletat e avionit të prenotuara për datat e fundvitit, pa zgjedhur ndonjë paketë turistike. “Pjesa më e madhe e tyre janë për në Itali dhe Gjermani, kërkohen kryesisht duke qenë se kanë familjarë në ato vende”.
Ndër alternativat e qyteteve europiane, agjencitë tregojnë, se preferohen edhe turet kulturore, ndonëse më pak se sa në periudha të tjera të vitit, duke qenë se njerëzit kërkojnë të vendosen diku dhe të festojnë. Megjithatë, për këtë kategori, paketat turistike janë zgjedhje jo luksi, kryesisht me autobus, ku mund të vizitohen disa qytete e të qëndroni disa ditë në Itali, Francë apo edhe në Austri, Çeki e Gjermani.
“Kjo është një praktikë që vazhdon të mbetet në modë dhe tërheqëse edhe për europianët”, – tregojnë nga agjencia Bora Travel. Nëse preferenca juaj është Çekia, të gjitha agjencitë e ofrojnë si destinacion. Ata pohojnë se Praga në fund të vitit është një mrekulli më vete. Udhëtimi është kryesisht me autobus dhe itinerari që ndiqet është: Tiranë – Split – Zagreb – Vjenë – Pragë – Budapest – Beograd – Prishtinë – Tiranë. Destinacione të tjera me autobus për Krishtlindje dhe Vit të Ri janë: Paris, 3 ditë, 349 euro, rruga: Tiranë – Zagreb – Lubjane – Mynih – Paris – Milano – Tiranë. Të tjera destinacione: Vjenë – Budapest – Beograd, 23 dhjetor, 5 ditë, € 199 etj.
Fluturimet direkte si Vjena me 499 euro dhe Paris për 400 euro, 2-3 ditë, janë një tjetër alternativë e kërkuar nga portofoli i udhëtimeve europiane.
Darka gala e fundvitit
Stambolli, ndonëse është një ndër destinacionet më të kërkuara dhe të preferuara për shqiptarët, për të cilin agjencitë pohojnë se kërkohen edhe vende për t’u vizituar që përkojnë me skena telenovelash, për fundvit nuk përbën një atraksion të lartë. Agjencitë e shpjegojnë me faktin se për Krishtlindjet dhe Natën e Ndërrimit të Viteve, përjetohet më tepër atmosferë në qytete europiane.
Turqia nuk i ka traditë këto dy festa. Megjithatë, agjencitë tregojnë se për të gjithë të interesuarit, Turqia sërish i ka rezervuar një qoshe. Bëhet fjalë kryesisht për resortet turistike në Antalia, Alania etj., të cilët organizojnë “darkën gala të festës së fundvitit”, si përpjekje për të tërhequr klientë që kërkojnë luksin. Ofertat për destinacione të tilla janë me paketa që variojnë në 1200 euro çifti, në javë.
Destinacionet e “nxehta”
Agjencitë turistike kanë menduar edhe për dëshirat e nxehta të ditëve të ftohta të fundvitit. Në krye të prenotimeve është Dubai. Dikur, pohojnë agjencitë, ishte një nga destinacionet më të shtrenjta, por prej dy vitesh, çmimet kanë pësuar ulje të lehtë.
Paketat për këtë destinacion gjenden në vlera të tilla: 949 euro, një javë, hotel me 5 yje; 999 euro për 8 ditë; ka edhe oferta 650 euro për 5 ditë. Të mos lëmë pa përmendur atë që ka tërhequr klientelën e re dhe të kamur vitet e fundit: Tajlanda. Ofertat për këtë destinacion gjenden në çdo agjenci, kryesisht në vlera që nisin nga 8 net, 1120 euro/person, deri në 2000 euro/personi.
Koha më e përshtatshme për të prenotuar pushimet
Faqja e njohur e udhëtimeve TripAdvisor bëri me dije se cila është “Koha më e mirë për të rezervuar pushimet” për raportin e festave, duke zbuluar se udhëtarët mund të gjejnë vazhdimisht çmimet më të lira të hoteleve për fundin e dhjetorit, nëse rezervojnë biletat deri më 18 nëntor.
Për një hotel në SHBA, udhëtarët që rezervojnë deri më 18 nëntor mund të kursejnë 18% në krahasim me normat e pikut të Vitit të Ri. Gjithashtu udhëtarët që planifikojnë të qëndrojnë në një hotel në Europë mund të rezervojnë gjatë kësaj kohe për të kursyer 21% krahasuar me normat e kërkesave më të larta në këtë periudhë.
Udhëtarët që planifikojnë të qëndrojnë në një hotel në Europë mund të rezervojnë gjatë kësaj kohe për të kursyer 21% në krahasim me pikun dhe për hotelet në Azi, udhëtarët mund të marrin 12% kundrejt niveleve të larta.
Edhe pse çmimet e fluturimeve ndryshojnë shpesh dhe varen nga destinacioni i nisjes, këtë vit, me pushimet e Krishtlindjeve që bien ditë e hënë, udhëtarët mund të kursejnë mesatarisht 14% duke fluturuar të dielën më 24 dhjetor, krahasuar me fluturimin një ditë më parë të shtunën 23 dhjetor, thuhet në raport.
Në mënyrë të ngjashme, duke fluturuar në prag të Vitit të Ri (e diel, 31 dhjetor) do t’i kursejë udhëtarëve mesatarisht 12-23%
.(monitor)