AKTUALITET, 16 Mars 2018, 21:07

Ja katër kryebashkiakët e përfshirë në skandale dhe abuzime, nga ata të PS te PD

Të paktën katër kryetar bashkish janë nën akuzë për shpërdorim detyre, falsifikim pronash, dhënie lejesh në kundërshtim me ligjin. Bëhet fjalë për dy kryetarë bashkish të Partisë Socialiste, një të Partisë Demokratike dhe një të PDIU-së.

Sot, është vënë në pranga Kryetari i bashkisë Lezhë Fran Frrokaj, pasi akuzohet se ka abuzuar me tjetërsimin e pronave në “Ranën e Hedhun”. Frrokaj u arrestua në zyrën e tij këtë mesdite dhe akuzohet për shpërdorim detyre. Bashkë me zyrtarët e tjerë, Frrokaj ka qenë pjesë e një skeme për tjetërsimin e pronave në zonat ranore. Si ky rast, ka pasur plot të tjerë ku kryetarët e bashkive duken se kanë abuzuar me detyrën e tyre.

Një nga rastet me të bujshme, është ai i kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi. Ndaj Rroshit rëndon akuza e konsumimit të veprës penale “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”, në plotësimin e formularit të dekriminalizimit. Por jo vetëm kaq. Edhe Roshi është perfshirë në skandalin e tokave të bregdetit në Spille-Kavajë, ku janë përfituar toka nga skema mashtruese familjarë të ish-kryetarit të Bashkisë, të ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Gentian Daja, familjarë dhe lidhje fisnore të nënprefektit të Tiranës, Fatos Kaja, si edhe të ish-kryetarit të Komunës Kryevidh, Nezir Leçini, shkruan Alpenews.al

Rast tjetër i ngjashëm me atë të Fran Frrokaj, është edhe ai i kryebashkiakut të Rrogozhinës Beqir Nuredini.Ky i fundit akuzohet për shpërdorim detyre pasi dyshohet se ka abuzuar me pronat në bregdetin e Spillesë, duke i tjetërsuar ato bashkë me 10 të akuzuar të tjerë.

Shpëtim Gjika, kryetari i bashkisë Vlorë është akuzuar dy herë për shpërdorim detyre dhe ndërtim pa leje, në lidhje me objektin 11-katësh në qendër të Vlorës që asokohe ishte akoma në ndërtim.

Në procesin e parë, Gjika u akuzua për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim”. Por herën e dytë i rendoi edhe një akuzë më shumë, “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.