BOTA, 16 Nëntor 2017, 15:01

Itali, një person i vdekur nga moti i keq

Itali, një person i vdekur nga moti i keq

Shira të rrëmbyer dhe erëra të forta  kanë kapluar  rajonet qendrore e ato jugore të Italisë.

Zona më e goditur nga moti i keq është Abruzzo me përmbytje përgjatë vijës bregdetare dhe rrëshqitje dheu në pjesë të tjera të saj.

Një 27-vjeçar gjeti vdekjen në Marche prej një aksidenti rrugor, pasojë e shiut të dendur. Pasagjeri që udhëtonte me të në kamionçinën e dalë nga rruga, mbeti i plagosur e ndodhet në spital.

Reshjet që nuk kanë të ndalur prej 24 orësh kanë shkaktuar probleme të mëdha në kufirin e provincave të Pescares dhe Teramos duke i zënë autoritetet lokale në befasi.

Edhe qarkullimi hekurudhor u ndërpre përkohësisht në linjën Adriatike.

Shkollat janë mbyllur, sipas mediave vendase, në pothuajse të gjitha komunat bregdetare. Por emergjenca në Abruzzo nuk prek vetëm bregdetin, e vështirë paraqitet situata edhe në disa zona të brendshme të tij ku ka pasur rrëshqitje toke.

Më në veri, u regjistruan probleme me energjinë elektrike, dhe si pasojë e dëborës së fillimin e javës situata është përkeqsuar.