AKTUALITET, 21 October 2026, 12:07

Sulmet ndaj bankave, Rama: Të orkestruara nga forca të huaja që duan destabilizimin e Europës, asnjë lëshim! Sejko: Llogaritë dhe kursimet janë të sigurta

Sulmet ndaj bankave, Rama: Të orkestruara nga forca të huaja që

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me drejtuesit e sistemit bankar, pas sulmeve të dhunshme të protestuesve, të cilët dëmtuan 38 degë bankare dhe 42 bankomatë në Tiranë.

Gjatë takimit, kryeministri Rama tha se qeveria nuk do të bëjë asnjë lëshim përballë protestuesve të dhunshëm që gjatë këtyre ditëve kanë sulmuar institucionet, bizneset, bankat dhe forcat e Policisë.

Duke theksuar se protestuesit morën peng Tiranën, Rama tha se dhuna është e orkestruar dhe e mbështetur nga forca të huaja që kanë si synim destabilizimin e Europës.

Marrë shkas nga thirrjet e disa protestuesve në protestë, Rama tha se ka të rinj e të reja të ekstremizuar, që bëjnë thirrje për syrgjynosjen e atyre që mendojnë ndryshe.

“Ishte shumë e rëndësishme ta bënim këtë takim edhe me ju, pas një histerie dhune që mori peng Tiranën, duke krijuar idenë e një përshkallëzimi që mund të merrte para gjithë Shqipërinë. Nga ne s’ka asnjë lëshim. Kjo është një dhunë e orkestruar, e lidhur me elementë të jashtëm. Po ndodh edhe në kryeqytete të tjera të Europës përmes një lëvizjeje marksiste neokomuniste që quhet ‘Antifa’.

Vajza dhe djem të ekstremizuar që bëjnë thirrje si në kohën e mesjetës për të burgosur e syrgjynosur këdo që sipas tyre përfaqëson të keqen dhe nga ana tjetër është komponenti i kriminalitetit. Kriminaliteti i vogël i lagjeve mblidhet me sponsorizimin e krimit të organizuar. Pastaj ato kanë një mbështetje nga forca të huaja që kanë synim destabilizimin e Europës. Këta elementë nuk janë studentë. Ajo pjesë nuk është nxitëse e mbështetëse e dhunës”, tha mes të tjerash Rama.

Ndërkohë Guvernatori Gent Sejko garantoi se llogaritë bankare të qytetarëve shqiptarë janë të sigurta dhe shërbimet do të vijojnë normalisht. Sejko i cilësoi sulmet ndaj bankave, si sulm ndaj biznesit dhe gjithë shoqërisë shqiptare.

“Ne koordinuam sëbashku veprimet dhe sot me praninë e kryeministrit dhe ministrave do të diskutojmë edhe njëherë për vijueshmërinë e sistemit bankar e financiar, sepse kjo është një e mirë për ekonominë dhe bizneset, që duhet të vijojë funksionimin pa u cenuar. Ne si Bankë Shqipërie kemi pasur nën funksion të gjitha shërbimet. Ajo që kemi dashur të theksojmë është që pavarësisht tensionit, depozitat e qytetarëve janë të sigurta. Bankat janë me likuiditet shumë të mirë. Ne duam që kjo industri të vijojë sa më mirë, sepse pasojat do të ishin zinxhir. Garantoj kryeministrin dhe të gjitha bizneset se Banka e Shqipërisë do të vijojë operacionet dhe do i përgjigjet të gjitha kërkesave që kanë qytetarët”, tha mes të tjerash Sejko.