AKTUALITET, 1 Mars 2018, 16:49

I vrau burrin e vjehrrën, fieraku kishte zënë dashnore kushërirën e gruas

I vrau burrin e vjehrrën, fieraku kishte zënë dashnore

Një shtëpi që gati të shembet, një fëmijë invalid, babai i verbër e pak orendi. Ky është mjerimi në shtëpinë ku Kasëm Pirjasi kishte hyrë kollovar dhe jetonte me gruan, dy vajzat, prindërit dhe një motër të bashkëshortes. 26-vjeçari u arrestua dje si autor i dyshuar i vrasjes së Selkije e Olsi Hoxhallari, nënë e bir në Vlorë, bashkë me të dashurën e tij Hysnie Hoxhallari.

Mes lotëve gruaja tregon se ishte në shtëpi kur e mori vesh për arrestimin e të shoqit, megjithëse nuk kishte asnjë dyshim se ai kishte një lidhje jashtëmartesore. Por halleve të varfërisë dhe të sëmurëve iu shtua edhe ky krim në ngarkim të bashkëshortit të saj, duke e bërë më të rëndë peshën e mjerimit. Pak më tej, në këmbët e së motrës, vajza e madhe e Kasëmit qan pa pushim, duket se edhe ajo e ka kuptuar mirë atë që ka ndodhur.

Por një tjetër fakt i rëndë është lidhja që Entela, gruaja e Kasëmit kishte me Hysnien, të dashurën e tij. Ajo thotë se bashkë janë kushërira të dyta. “Aq keq e përjetuam sa nuk ka më ku të vejë”, tregon Entela.

“Ne e kemi kushërirë atë. Babai im me babain e saj janë djalë halle, djalë daje, i bie kushërirë të dytë me të unë”, tha ajo.