AKTUALITET, 1 Mars 2018, 15:33

Shoferi i kokainës gati të bashkëpunojë me Drejtësinë: Shikoni tabulatet e mi dhe...

Armando Pezaku, shoferi i kamionit që transportoi kontenierin me banane brenda të cilit u zbulua 613 kg Kokainë ka qenë në vendin dhe momentin e gabuar.

Ai ka deklaruar se është informuar vetëm pak minuta më parë nga kompania e transportit për rrugën e radhës.

“Nuk kam lidhje fare me drogën. Unë jam thjesht shofer dhe shkoj aty ku më caktojnë. Për ngarkesën e radhës u informova vetëm para pak minutash para se të nisesha. Sa për dijeni, ne nuk na thotë njeri se me çfarë është ngarkesa. Ne (shoferët) shkojmë afrojmë kokën e kamionit pranë terminalit ku ndodhen mbi 2000 kontenier, marrim njërin prej tyre ( që na ka caktuar kompania e transportit), shkojmë tek sporteli për të mar dokumentacioni që kemi ngarkuar dhe nisemi për rrugë. Personalisht nuk njoh dhe skam konfidencë me asnjë prej punonjësve të kompanisë “Arbri-Garten”. Thjesht ndodhesha në vendin dhe momentin e gabuar, fatin tim të keq mund ta kishte një shofer tjetër”,- mësohet të ketë deklaruar Pezaraku i arrestuar një ditë më parë nga policia në lidhje me drogën e bllokuar në kontenierin që ai transportonte.

Mësohet se Pezaraku është treguar i gatshëm për ti hetuar, pasi deklaron se nuk ka lidhje më këtë grup kriminal.

“Jam absolutisht i hapur për hetime. Shikoni, përgjoni, kontrolloni telefonatat dhe tablatet e celularëve të mi. Nuk kam asnjë problem sepse skam lidhje fare me këtë punë”,- ka theksuar drejtuesi i kamionit.

“Panorama” u interesua edhe për mënyrën e të proceduarit në portin e Durrësit. Të gjitha kompanitë që operojnë në fushën e transportit deklaruan njëzëri se drejtuesit e kamionave adresohen nga kompanitë për rrugën e radhës dhe nuk është në dëshirën e tyre se cilën rrugë do bëjnë apo s’do bëjnë.

Burime nga kompanitë e transportit thanë  se, Armando Pezaraku kishte shumë pak kohë që punonte rreth 20 muaj. Drejtuesit e kamionave shprehen shumë të revoltuar duke i dal në mbrojtje kolegut të tyre.

“Kjo është absurde. Këta arrestojnë shoferët që skan lidhje dhe as dijeni se çfarë ngarkese kanë sipër në kamion. I bien shkurt e shkurt dhe kapin shoferin dhe pasi e telendisin dhe e bëjnë trafikant nëpër media më pas e lëshojnë si të pafajshëm. Armando Pezaraku u arrestua në orët e para të ditës së mërkurë teksa po transportonte me kamionin me targë DR 3819, kontejnerin me banane, brenda të cilit u zbulua se fshiheshin 613 kg Kokainë.

 

DESHMITE

Të dy personat e arrestuar si trafikantë të dyshuar të sasisë rekord të kokainës, kanë deklaruar se nuk kishin dijeni që në kontenier kishte drogë.

Sipas tyre, ata ishin informuar se me kamion do të transportonin një ngarkesë me banane, ashtu sikurse ishin lajmëruar nga punëdhënësi i tyre. Madje, ata shkojnë edhe më tej, duke aluduar se kokaina mund të jetë futur gabimisht në kontenierin e tyre.

“Mund të jetë ndonjë ngatërresë. Dikush në Kolumbi mund të ketë futur gabimisht kokainë në kontenierin që do të vinte këtu me banane. Ne nuk kemi asnjë dijeni për këtë ngarkesë”, kanë deklaruar në Polici dy të arrestuarit.