BALLKAN, 10 October 2026, 12:54

I kërkuar nga Interpoli për sulmin në Banjskë, Milan Radoiçiç shfaqet në tubimin parazgjedhor të partisë së Vuçiçit

I kërkuar nga Interpoli për sulmin në Banjskë, Milan

Milan Radoiçiç, i kërkuar nga Interpoli për sulmin në Banjskë të Zveçanit, është parë në një tubim parazgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe.

Sipas televizionit serb N1, Radoiçiç ndodhej në mesin e pjesëmarrësve në tubimin e mbajtur në Kragujevc, në shoqërinë e Danilo Vuçiçit, djalit të ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Radoiçiç ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Sulmi ndodhi natën e 23 dhe 24 shtatorit 2023 dhe konsiderohet si një nga ngjarjet më të rënda për shtetin dhe Policinë e Kosovës. Gjatë përplasjes në Banjskë, Bunjaku ra në pritë të një grupi të armatosur serb.

Institucionet e Kosovës e kanë cilësuar sulmin si terrorist, duke deklaruar se synimi ishte destabilizimi i vendit dhe aneksimi i pjesës veriore të Kosovës.

Pavarësisht se ka marrë përgjegjësinë për sulmin, Radoiçiç dhe dhjetëra persona të tjerë të akuzuar për përfshirje në këtë ngjarje vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi.

Në prill të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me burgim të përjetshëm Blagoje Spasojeviçin, Vladimir Toliçin dhe Dushan Maksimoviçin me 30 vjet burgim.

Tre të dënuarit janë në mesin e 42 personave të akuzuar për sulmin në Banjskë, mes të cilëve edhe Milan Radoiçiç.

Ky i fundit u mor në pyetje në Beograd në vitin 2023, por më pas u la i lirë dhe, sipas raportimeve, vazhdon të jetë i lirë edhe sot.