AKTUALITET, 9 October 2026, 14:48

Heqja e "detyrim paraqitjes'/ Kushtetuesja pranon pjesërisht kërkesën e Berishës, çështja rikthehet në Gjykatën e Lartë

Heqja e "detyrim paraqitjes'/ Kushtetuesja pranon pjesërisht

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha lidhur shfuqizimin e masës së sigurisë “detyrim për paraqitje”.

Gjykata vlerësoi se Gjykata e Lartë nuk u kishte dhënë përgjigje pretendimeve që lidhen me nevojën dhe përshtatshmërinë e kësaj mase sigurimi.

Për këtë arsye, çështja do të rikthehet në Gjykatën e Lartë, e cila duhet të shqyrtojë sërish problematikat e evidentuara nga Gjykata Kushtetuese.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e heq automatikisht masën e sigurisë ndaj Sali Berishës. Ai shfuqizon vendimin e Gjykatës së Lartë dhe e kthen çështjen për rishqyrtim.

Për rrjedhojë, Gjykata e Lartë duhet të shqyrtojë sërish çështjen, duke marrë parasysh vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese mbi arsyetimin e nevojës dhe përshtatshmërisë së masës.

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë (Gjykata), në datën 08.10.2026, mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve çështjen me kërkues Sali Berisha, me objekt: “Shfuqizimi i vendimeve nr. 1 (87-2025-1), datë 03.01.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe nr. 00-2025-658, datë 22.04.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.

Gjykata, e mbledhur sot në datën 09.10.2026, pasi mori në shqyrtim pretendimet dhe prapësimet e palëve, në mënyrë të përmbledhur, vlerësoi:

–        Të shqyrtojë çështjen në drejtim të lirisë së lëvizjes të lidhur me të drejtën e aksesit dhe standardin e arsyetimit të vendimit. Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata çmoi se masa e sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndërhyn në lirinë e lëvizjes të garantuar nga neni 38 i Kushtetutës dhe, për rrjedhojë, duke u bazuar në arsyetimin e gjykatave, konstatoi se Gjykata e Lartë nuk i ka dhënë përgjigje pretendimeve për nevojën dhe përshtatshmërinë e masës;

–        Se pretendimet e tjera për cenimin e së drejtës për proces të rregullt ligjor kanë marrë përgjigje nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm, arsyetimi i të cilave nuk u gjet arbitrar dhe i pamjaftueshëm në aspektin kushtetues.

Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata, me shumicë votash, vendosi:

Pranimin pjesërisht të kërkesës.

Shfuqizimin e vendimit nr. 00-2025-658, datë 22.04.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.

Shpenzimet e përfaqësimit për kërkuesin në vlerën 60.000 lekë i ngarkohen Ministrisë së Financave.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Heqja e "detyrim paraqitjes'/ Kushtetuesja pranon pjesërisht