BALLKAN, 10 October 2026, 11:58

Vrasja e dyfishtë në Gjilan/ Në paraburgim 38-vjeçari që dyshohet se vrau bashkëshorten dhe kunatin, policia gjen arsenal armësh

Vrasja e dyfishtë në Gjilan/ Në paraburgim 38-vjeçari

Autoritetet në Kosovë kanë dërguar në paraburgim një 38-vjeçar, i dyshuar për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e rëndë të një tjetri në Gjilan. Disa orë pas ngjarjes së rëndë që shkaktoi zemërim në vend të premten, Policia ka kryer bastisje në shtëpinë dhe pronat e të dyshuarit, ku ka konfiskuar armë dhe municion.

Sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe Policisë së Kosovës, i dyshuari dyshohet se vrau bashkëshorten e tij 27-vjeçare dhe vëllain e saj 31-vjeçar, ndërsa plagosi rëndë djalin e xhaxhait të bashkëshortes, 48 vjeç.

Motivet e vrasjes së dyfishtë ende nuk janë bërë të ditura. Autoritetet kanë konfirmuar se gjatë kontrolleve janë gjetur armë të tjera në pronat e të dyshuarit, i cili, sipas tyre, nuk ka të kaluar kriminale.

Si ndodhi ngjarja?

Policia bëri të ditur se të premten, rreth orës 14:25, pranoi një telefonatë për të shtëna me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët, në Gjilan.

Me të mbërritur në vendngjarje, zyrtarët policorë gjetën brenda një automjeti trupin e pajetë të 31-vjeçarit, të identifikuar me inicialet E.B.

Ndërkohë, 27-vjeçarja N.B. ishte dërguar pa shenja jete në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan, pasi kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri, të cilat dyshohet se u shkaktuan nga i njëjti person.

I plagosuri, i identifikuar si M.B., po merr trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Këtë e bëri të ditur Prokuroria Themelore në Gjilan të premten, pak para mesnatës.

Policia njoftoi të premten se i dyshuari, i identifikuar me inicialet V.R., ishte vetëdorëzuar para autoriteteve.

Ai është dërguar në paraburgim, ndërsa hetimet po vazhdojnë për dy veprat penale për të cilat dyshohet: vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Armë dhe municion të sekuestruara

Gjatë hetimeve në dy vendet e ngjarjes, Policia ka sekuestruar katër fishekë, 21 gëzhoja dhe pesë predha. Gjithashtu, brenda automjetit të të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një revole, me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.

Sipas Policisë, revolja kishte leje të skaduar.

Gjatë bastisjeve në shtëpitë dhe pronat e të dyshuarit, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar edhe dy armë të gjata me leje të skaduar, një revole pa leje, një armë pneumatike, 520 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe 1.600 diabolla për pushkë pneumatike.

“Gjithashtu si prova materiale janë sekuestruar edhe disa telefona celularë dhe DVR të kamerave”, theksoi Policia.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Gjilan bëri të ditur se revolja me të cilën dyshohet se i pandehuri kreu vrasjet është e tipit “Bereta” dhe kishte leje të skaduar.

Prokuroria theksoi se i dyshuari nuk ka të kaluar kriminale dhe se ndaj tij nuk ka pasur ndonjë rast të raportuar për dhunë në familje.

Reagimet pas vrasjes së dyfishtë

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, tha se e kishte marrë lajmin “me dhimbje të thellë”, duke shprehur “ngushëllimet e mia më të thella për familjet e viktimave dhe shërim të shpejtë për të plagosurin”.

“Asnjë rrethanë nuk mund ta justifikojë marrjen e jetës së njeriut. Askush nuk ka të drejtë t’i ekspozojë gratë ndaj rrezikut, dhunës apo vuajtjes”, tha Shiroka Pula, sipas një komunikate të Presidencës së Kosovës.

Ajo u bëri thirrje organeve të drejtësisë që ta hetojnë rastin “me përkushtim të plotë, t’i zbardhin të gjitha rrethanat dhe t’i sjellin autorët para drejtësisë”.

Kjo vrasje vjen më pak se një muaj pasi një burrë u arrestua për vrasjen e motrës dhe plagosjen e nënës së tij, në shtator, në Prizren.

Ndërkohë, në gusht u vranë dy gra: një 25-vjeçare shtatzënë dhe një 80-vjeçare. Për të dyja vrasjet dyshohen bashkëshortët e viktimave, përkatësisht 26 dhe 81 vjeç.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se ndihej e “tronditur nga lajmi për vrasjen e një gruaje dhe një burri, si dhe plagosjen e një personi tjetër”.

“Dy jetë të humbura dhunshëm dhe familje që sot po përballen me një dhimbje të madhe”, shkroi Haxhiu në Facebook.

Edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cilësoi të premten si “ditë e kobshme”.

“Edhe një grua u vra nga bashkëshorti i saj. Edhe një familje u godit nga një tragjedi e pariparueshme”, u shpreh ajo, sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë.

Gërvalla theksoi se parandalimi i dhunës dhe mbrojtja e jetës së grave kërkojnë veprim dhe përgjegjësi të vazhdueshme, jo vetëm reagim pas tragjedive.