BALLKAN, 7 October 2026, 20:52

Gjermania alarmohet nga ndryshimet në Ligjin për Specialen: Pavarësia e saj duhet të respektohet plotësisht

Gjermania alarmohet nga ndryshimet në Ligjin për Specialen:

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka shprehur të mërkurën “shqetësim të thellë” lidhur me ndryshimet që Kuvendi i Kosovës miratoi një ditë më parë në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ligjvënësit kosovarë e ndryshuan ligjin për t’ia kufizuar kompetencat gjykatës me bazë në Hagë, gjatë një votimi të zhvilluar pak para mesnatës të martën.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Ambasadës së Gjermanisë, Catalina Heine, tha se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion i pavarur gjyqësor dhe se pavarësia e tyre nuk duhet të cenohet.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion gjyqësor i pavarur dhe u themeluan në bazë të ligjit të Kosovës dhe mbështetën në Kushtetutën e Kosovës. Qëllimi i tyre është të sigurojnë llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Për të përmbushur këtë synim, pavarësia e tyre duhet të respektohet plotësisht”, thuhet në përgjigje.

Ambasada gjermane theksoi gjithashtu se mbështet qëndrimin e Bashkimit Evropian kundër ndryshimeve të bëra në këtë ligj.

Më herët, Bashkimi Evropian deklaroi se ndryshimet bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj bllokut.

"Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t'u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t'u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë", deklaroi zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand, për Radion Evropa e Lirë.

REL-i e ka kontaktuar Qeverinë e Kosovës për të kërkuar koment lidhur me shqetësimet e ngritura nga ndërkombëtarët për këtë çështje, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.

Përparim Gruda, zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës, e cila inicioi ndryshimet në ligj, këmbënguli se Kosova “nuk po i shkel" detyrimet e veta ndërkombëtare.

Çfarë parashikojnë ndryshimet në ligj?

Ndryshimet e miratuara ngushtojnë juridiksionin e Dhomave të Specializuara në aspektin e veprave, kohës dhe territorit. Ato gjithashtu e kufizojnë dënimin në 15 vjet dhe parashikojnë transferimin e rasteve apo dënimeve në Kosovë.

Këto ndryshime vijnë pasi më 16 shtator kjo gjykatë i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, për krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Të katër i kanë mohuar akuzat dhe kanë thënë se do të ankohen në Apel.

Si u themeluan Dhomat e Specializuara?

Baza juridike për themelimin e Dhomave të Specializuara është këmbimi i letrave i vitit 2014 mes presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton.

Ndër zotimet që mori Kosova asokohe ishte edhe të konsultohej me BE-në për çfarëdo nisme për ndryshim të ligjeve që kanë ndikim në mandatin e gjykatës, apo në procedurat gjyqësore që burojnë nga hetimet e Task-Forcës Speciale Hetuese (SITF).

Po ashtu, Kosova u zotua për vazhdimin e punës së Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar deri në përfundimin e hetimeve dhe procedurave përkatëse.

Dhomat kanë selinë në Hagë dhe përbëhen nga gjyqtarë dhe prokurorë të huaj, ndonëse janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës.

Bashkimi Evropian është mbështetësi kryesor financiar i tyre, me gati 400 milionë euro të investuara që nga themelimi.