BALLKAN, 6 October 2026, 21:00

Hamza refuzon Kurtin: Jemi këtu për të votuar ligjin për Specialen, s’ka marrëveshje për presidentin

Hamza refuzon Kurtin: Jemi këtu për të votuar ligjin për

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, e ka quajtur joserioze për vendin deklaratën e kryeministrit Albin Kurti lidhur me çështjen e presidentit.

Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, pak minuta më parë paraqiti një propozim të ri për PDK-në. Emrat e propozuar prej tij janë Glauk Konjufca dhe Feride Rushiti, të cilët Kurti i kishte propozuar edhe para zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor.

Hamza ka thënë se Ligji duhet të kalojë, por edhe për çështjen e presidentit duhet të ketë marrëveshje.

“Sa ka seriozitet në këtë punë kur vetëm sot ka që tri-katër herë qëndrime të ndryshme. LDK-së i thotë nuk ka mundësi të ketë president politikë ndërsa vetë propozon emra politikë. Janë këta emra që nuk kanë kaluar që sa kohë. Për të cilët s’ka pasur marrëveshje. Ligji duhet të kalojë, presidenti ka mund të zgjidhet por jo president pa marrëveshje. Jo ky është presidenti merre ose lëre. Pse s’ka qenë kjo lloj bisede në takimet e tjera, pse s’ka qenë sot paradite”, ka thënë Hamza në konferencën për media pas asaj të Kurtit.