TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kuvendi i Kosovës miratoi me 89 vota pro një propozim të Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale. Sipas draftit, katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që ndodhen në Hagë, duhet të kthehen në Kosovë për të vuajtur dënimin.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu që, pas kthimit në Kosovë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të kenë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese ose Presidentit për të kundërshtuar dënimin.
“Në rrethana normale ligji zbatohet menjëherë pas hyrjes në fuqi, vetëm në rastet kur ligji parashikon një afat moratoriumi ose një afat i cili duhet me u lënë për zbatim. Në rastin konkret ky ligj nuk e ka një afat të tillë, pra duhet të zbatohet normalisht. Por në raport me Dhomat e Specializuara unë nuk besoj se kemi një situatë normale. Për situata të tilla unë pres që do të ketë përpjekje që mos me e zbatuar ligjin në formën që është zbatuar, megjithatë konsideroj që të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës duhet të jenë të vëmendshme dhe duhet ta kuptojnë seriozitetin e kësaj situate…”, tha Qelaj.
“Këto janë çështje procedurale. Natyrisht se ligji nuk i përcakton qartë, janë pastaj rregullat e përgjithshme të procedurës penale të cilat duhet të aplikohen në këtë kontrast, dhe natyrisht se kërkesa duhet të vijë nga mbrojtja e të akuzuarve. Por që deri në momentin kur merret vendimi nga ana e gjykatës dhe derisa nuk kemi një reagim të qartë, ka shumë dilema të cilat kanë me na përcjellë gjatë kësaj situate”, tha Qelaj.
Avokati i Popullit foli edhe për shqetësimet që, sipas tij, kanë shoqëruar procesin gjyqësor në Hagë që nga fillimi. Ai ngriti pikëpyetje për barazinë e palëve në proces, të drejtën për mbrojtje efektive dhe mënyrën se si Gjykata Speciale ushtron mandatin e saj.
Qelaj kritikoi gjithashtu faktin që, sipas tij, gjykata nuk ka raportuar para institucioneve të Kosovës për mënyrën se si e ka përmbushur mandatin, ndërsa ka raportuar në mënyrë konfidenciale te shtetet donatore.
“Ne kemi gjashtë vite që gjykata funksionon në mënyrë efektive, para kësaj ka ekzistuar si gjykatë dhe është marrë me hetimin deri në ngritjen e aktakuzës, pra gjashtë vite që funksionon si gjykatë dhe asnjë, në asnjë moment kjo gjykatë nuk ka raportuar, nuk ka arritur me i dëshmuar institucioneve të Republikës së Kosovës se është duke zbatuar mandatin i cili i është dhënë kësaj gjykate.
Përkundrazi kësaj, ka raportuar shteteve donatore në mënyrë, në mënyra sekrete, në mënyra të fshehta, së bashku me prokurorinë. Pra është një çrregullim juridik, ligjor, i cili kërkon që edhe vendet demokratike që financojnë këtë gjykatë duhet me pasë vëmendjen dhe duhet me i kthyer interesat e tyre me vlerësuar nëse kjo gjykatë vërtet është demokratike dhe po respekton standardet”, tha Qelaj.
Pavarësisht kritikave, Qelaj theksoi se rruga kryesore për të kërkuar drejtësi duhet të jetë përmes procesit gjyqësor dhe shkallëve të apelimit. Sipas tij, mbrojtja dhe institucionet e Kosovës duhet të përqendrohen te kërkesa për një gjykim të drejtë, që të jetë i besueshëm edhe për publikun.
“E them se procedura gjyqësore e cila ka përfunduar në shkallë të parë duhet të ballafaqohet me Apelin, dhe aty mbrojtja dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës duhet ta zhvillojnë betejën që me vendosë një gjykim të drejtë, i cili kishte me dhanë një verdikt që nuk do të kontestohej nga publiku. Është shumë e rëndësishme që kjo gjykatë, përveç anës formale të zbatimit të ligjit dhe vendosjes së drejtësisë, duhet të jetë edhe e besueshme për publikun”, tha Qelaj.
Sa i përket mundësisë që Presidenti i Kosovës të japë një dekret faljeje, Qelaj u shpreh skeptik. Ai tha se qëllimi duhet të jetë arritja e drejtësisë përmes gjykatës dhe jo falja e të akuzuarve, të cilët, sipas tij, kërkojnë që çështja e tyre të zgjidhet përmes një procesi të drejtë.
“Unë besoj që beteja duhet të fitohet në gjykatë, po flasim për drejtësi, por nuk besoj që as vetë katërsja që janë atje dëshirojnë faljen, sepse atëherë kemi të bëjmë me një situatë tepër të komplikuar. Nuk është idea me u falë, idea është me u proceduar brenda një procesi të drejtë dhe me u vërtetuar të gjitha faktet…”, tha Qelaj.
Në rast se çështja nuk merr zgjidhje në Gjykatën e Apelit, Qelaj tha se mund të shqyrtohen edhe mundësi të tjera ligjore, përfshirë Gjykatën Supreme. Ai përmendi gjithashtu mundësinë e një ankese në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, nëse plotësohen kushtet përkatëse, përfshirë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Sipas tij, përmes këtyre mekanizmave mund të shqyrtohen pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut dhe të kërkohet që procesi gjyqësor të përmbushë standardet e drejtësisë.