AKTUALITET, 9 October 2026, 15:00

“Pjesëmarrja në protestë ishte e dobët”, zyrtarja demokrate, kritika lidershipit të PD e mazhorancës për Territorialen: Policia sulmoi dhe frikësoi qytetarët

“Pjesëmarrja në protestë ishte e dobët”,

Eda Grimçi, kryetare e degës së Partisë Demokratike, njësia 9 në Tiranë, njëherësh edhe anëtare e Kryesisë së Partisë Demokratike, tregoi pse, sipas saj, “pjesëmarrja e qytetarëve la shumë për të dëshiruar” në protestën e djeshme kundër Reformës Territoriale.

“Orari, 10:00 e paradites, është në disfavor pasi demokratët nuk punojnë në shtet. Kur punon në shtet të vjen urdhri politik dhe duhet të marrësh pjesë në protestë. Është vështirë të marrësh leje te kompania private për të shkuar në protestë. Jo vetëm kjo, po është edhe fakti që nuk ishte protestë politike. Demokratët janë njerëz politikë, të cilët motivohen kur protesta bëhet me logon e tyre, me kauzat e tyre.

Patjetër që opozita ka kauzë çdo shqetësim të qytetarëve dhe Reforma Territoriale është shqetësim, por kauzë e drejtpërdrejtë është për ata që preken nga shkrirja e bashkive. Po ta shikojmë, aty kishte qytetarë nga dy bashki dhe pankartën për Divjakën po e mbanin demokratët e Lushnjes. Ishin nja 15 vetë që po protestonin për Divjakën.

Pra, në 300 mijë qytetarë që po u shkrihen bashkitë, ku kryeson PS-ja, nuk pati asnjë qytetar. Nëse kjo nuk është kauzë e këtyre 300 mijë qytetarëve, pse duhet të jetë kauzë për qytetarët e Tiranës? Ata nuk çohen për veten e vet. Po të heqin shërbimet, vendin e punës, a nuk është mjaftueshëm për t’u ngritur? Por, ata janë kërcënuar të mos guxojnë të paraqiten në protestë”, tha Grimçi për A2CNN.

Kur iu vu në dukje se shumë prej tyre kanë djegur teserat e Partisë Socialiste, Grimçi mori shembullin e Erion Braçes.

“A e dëgjuat dje Braçen? Thërriste dhe proklamonte të drejtat e qytetarëve, duke bërë kreun e opozitës së qeverisë brenda partisë së tij, dhe pastaj votoi si kone kundër asaj për të cilën u çorr. Kur kërcënohet Erion Braçe dhe nuk mbajnë dot presionin e Edi Ramës, mos të flasim pastaj për këta që dogjën teserat. Ata janë thirrur një nga një dhe u është thënë të mos guxojnë më. Të gjithë bëjnë atë që do Edi Rama dhe kjo u provua katërcipërisht”, u shpreh Eda Grimçi.

Në lidhje me tensionet në protestë, anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike u shpreh:

“U përdor gaz me piper dhe 9 protestues përfunduan në spital. Nuk kishte ndodhur më parë që 9 protestues të shkonin në spital. Pastaj, erdhi FNSH duke shtyrë e goditur qytetarët. Çfarë ndodhi që të përdorej kjo dhunë? Qëllimi ishte vetëm frikësimi. U dhunuan edhe kryetarë bashkie. Deputetët nuk lejoheshin të ktheheshin nëpër Parlament, pasi shkuan për të takuar qytetarët”.